Shteti iu lëshon 100 mijë denarë banorëve të Lagjes së Trimave

Maqedonia

Shteti iu lëshon 100 mijë denarë banorëve të Lagjes së Trimave

Më: 22 maj 2015 Në ora: 23:13

Nga 125 familjet e pastreha të evidentuara në Kumanovë, për 122 prej tyre janë lëshuar 100 mijë denarët e parë. Lajmi është konfirmuar nga Kreu i Komisionit për Verifikimit të Dëmeve, Ejup Alimi. Ai tha se paratë janë tashmë në xhirollogaritë e qytetarëve. Për 3 familjet e mbetura, sipas Alimit, janë evidentuar probleme teknike me xhirollogaritë, për shkak se nuk kanë qenë aktive. Gjatë ditës së nesërme pritet që edhe kjo çështje të rregullohet sipas tij.

“Në pajtim me vendimin e Qeverisë, Komisioni për vlerësimin e dëmeve doli në terren dhe bëri evidentimin e familjeve dhe dëmeve të shkaktuara gjatë aksionit policor në Kumanovë. Në bazë të vlerësimit, filloi edhe pagesa për ato familje që kanë pësuar dëme, si ndihmë fillestare prej 100 mijë denarësh që do t’iu shërbejë për nevojat e tyre”, u shpreh Ejup Alimi, Kryetar i komisionit për verifikimin e dëmeve.

Nga ana tjetër, Alimi sot u përgjigj edhe për shqetësimin e ngritur një ditë më parë nga banorët e pastrehë, gjoja për akomodimin e tyre në objektin e ish hotelit “Kuba”. Alimi tha se një propozim i tillë nuk ka dalë nga komisioni që ai drejton. Familjet nga Lagja e Trimave në Kumanovë, shtëpitë e të cilave pësuan dëme të mëdha si pasojë e aksionit policor të datës 9 dhe 10 maj, thonë se e kanë të pamundur të gjejnë edhe vendstrehime, pasi qeveria nuk ka ndihmuar me gjetjen e hapësirave me qira për vendosjen e tyre.

“Jemi 18 anëtarë. Jemi shpërndarë, disa tek barakat, disa në Haraçinë, të tjerët ne Orizare. Nuk kemi ku të shkojmë. Shteti na ka gënjyer, as para për banesa dhe as banesa të përkohshme. Kemi turp t’i trokasim dikujt në derë, duhet t’i paguajmë qiranë. Nuk kemi ku t’i marrim. Kemi mbetur rrugëve. Ku të shkojmë, nuk kemi rrugëdalje”.

“Për momentin nuk kemi asgjë, kështu siç na shihni. Ndoshta më tej do të ketë diçka, por për momentin asgjë! Po qëndrojmë në një shtëpi tjetër”.

Prej më shumë se një jave, banorët kanë mbetur në mëshirën e fatit. Institucionet nga ana tjetër, po lëvizin shumë ngadalë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat