Ahmeti takon Shimonoviqin, diskutojnë për zhvillimet në Kumanovë

Maqedonia

Ahmeti takon Shimonoviqin, diskutojnë për zhvillimet në Kumanovë

Më: 22 maj 2015 Në ora: 22:50

BDI-ja ka ngritur shqetësimet për situatën në Maqedoni, në takim me ndihmës sekretarin e Përgjithshëm të OKB-së Shimonoviq. Kryetari i BDI-së Ahmeti theksoi “rëndësinë e respektimit të Marrëveshjes së Ohrit germë për germë dhe në frymë si një e arritur e përbashkët siç janë edhe synimet tona për t’u integruar në NATO dhe BE të përbashkëta, të të dy komuniteteve më të mëdha në vend.

Ndaras nuk arrijmë dot ti realizojmë synimet tona, por vetëm bashkë.” Ahmeti foli edhe për përpjekjet për të ndërtuar raporte të mira me fqinjët dhe kërkoi që të tejkalohen paragjykimet në funksion të paqes dhe stabilitetit. Kreu i BDI-së kërkoi angazhim më të madh nga OKB-ja në drejtim të tejkalimit të kontestit me emrin që po mban Maqedoninë larg NATO-s dhe BE-së gjë që po tensionon marrëdhëniet ndëretnike gjithashtu. “Evropa nuk mund të jetë e tërë pa Ballkanin dhe Evropa duhet të jetë përfshirëse e jo përjashtuese.”

Sipas komunikatës së BDI-së, Shimonoviq u pajtua se integrimi në BE është zgjidhja më e mirë për Ballkanin, por njëkohësisht edhe mundësi për të siguruar zbatimin e reformave në përputhje me standardet Evropiane.

Ahmeti nga ana tjetër, shtoi se kriza politike mund të tejkalohet vetëm me dialog të mirëfilltë politik midis partive më të mëdha në vend, ndërsa përfundimi i këtij dialogu nuk duhet të paragjykohet. “Ngjarjet e Kumanovës duhet të hetohen me bashkëpunim ndërinstitucional midis Prishtinës dhe Shkupit, pse jo edhe me ndihmën e hetuesve ndërkombëtar. Shqetësuese në të gjitha këto zhvillime është edhe interesi i shtuar i Moskës. Moska duhet ta përkrah integrimin e Ballkanit Perëndimor në NATO dhe në BE sepse ky është përcaktimi i qytetarëve të vendeve tona- theksohej në komunikatën e BDI-së.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat