Mijallkovi vazhdon ta drejtoj DSK-në

Maqedonia

Mijallkovi vazhdon ta drejtoj DSK-në

Më: 22 maj 2015 Në ora: 18:55

Qeveria do ta zgjedhë pasardhësin e Sasho Mijallkovit gjatë javës së ardhshme. Ky është qëndrimi zyrtar nga “Ilindenska” 2, edhe pse kanë kaluar tashmë 10 ditë nga dorëheqja e tij. Mijallkovi në aspektin formal-juridik mbetet drejtor i Drejtorisë për Siguri dhe Kundërzbulim, përderisa dorëheqja e tij nuk është shpallur ende në gazetë zyrtare, dhe nga ana tjetër, Qeveria nuk ka marrë ende asnjë procedurë për vendin e tij. Bashkë me emërimin e personit në krye të policisë sekrete, pritet të emërohet edhe numri një i Byrosë për Siguri Publike, post ky që mbeti gjithashtu vakant pasi drejtori i mëparshëm, Mitko Çavkov, u bë ministër i ri i brendshëm.

“Në seancën që pritet të mbahet të martën e ardhshme, në rend dite do të jenë edhe këto dy çështje, emërimi i Drejtorit të ri të Drejtorisë së Sigurisë dhe Kundërzbulimit si dhe atij të Byrosë për Siguri Publike”, tha Aleksandar Gjeorgjiev, zëdhënësi i Qeverisë së RM-së.

Nga Qeveria konfirmojnë se ende nuk kanë propozime për asnjërin prej posteve vakante, të cilat sipas ligjit, i propozon ministri i brendshëm, në këtë rast zëvendësuesi i Jankullovskës, Mitko Çavkovi. Sipas të dhënave jozyrtare, zgjedhja e pasardhësit të Sasho Mijallkovit dhe drejtorit të ri të Byrosë për Siguri Publike duhej të ndodhte dje. Por, për çështje kuadrovike nuk është biseduar, për shkak se nuk ka qenë i pranishëm kryeministri Nikolla Gruevski. Për zëvendësues të mundshëm të Sasho Mijallkovit, në opinion spekullohen disa emra si ai i shefit të tij të kabinetit, Toni Jakimovski, kryeshefi i Drejtorisë së Pestë Goran Gruevski, por edhe emra të tjerë që kanë karrierë në strukturat e Ministrisë së Brendshme.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat