Strehimi i familjeve në Kumanovë, Institucionet shkelin premtimin

Maqedonia

Strehimi i familjeve në Kumanovë, Institucionet shkelin premtimin

Më: 22 maj 2015 Në ora: 16:43

As Qeveria dhe as Komisioni për verifikimin e dëmeve nuk ka propozuar që familjet nga Kumanova të strehohen përkohësisht në objektin e ish hotelit “Kuba” në Kumanovë. Kreu i komisionit Ejup Alimi sqaroi për televizionin Alsat se një propozim i tillë nuk ka dalë nga komisioni me të cilin ai menaxhon, duke shtuar se puna e komisionit vazhdon ende. Por, Alimi shprehet optimist se Qeveria, gjatë ditës pritet që të konfirmojë edhe ndihmën e parë prej 100 mijë denarësh për familje, për të paguar qiratë, ndërkohë që familjet janë të obliguara ta gjejnë vetë strehimin.

“Në pajtim me vendimin e Qeverisë, Komisioni për vlerësimin e dëmeve doli në terren dhe ka bërë evidentimin e familjeve dhe dëmeve të shkaktuara gjatë aksionit policor në Kumanovë. Në bazë të vlerësimit, do të fillojë edhe pagesa për ato familje që kanë pësuar dëme, si ndihmë fillestare prej 100 mijë denarësh që do t’iu shërbejë për nevojat e tyre. Ndërkohë, komisioni vazhdon punën e vlerësimit të dëmeve të shkaktuara. Ky raport do të jetë gati shumë shpejt dhe do të dorëzohet në Qeveri për miratim”, tha Ejup Alimi, Kryetar i komisionit për verifikimin e dëmeve.

Familjet nga Lagja e Trimave në Kumanovë, shtëpitë e të cilave pësuan dëme të mëdha si pasojë e aksionit policor të datës 9 dhe 10 maj, presin ndihmën e premtuar. Shumica e tyre e kanë të pamundur të gjejnë vendstrehim, duke u endur nëpër familjarë dhe të afërm të tyre.
“Jemi 18 anëtarë. Jemi shpërndarë, disa tek barakat, disa në Haraçinë, të tjerët ne Orizare. Nuk kemi ku të shkojmë. Shteti na ka gënjyer, as para për banesa dhe as banesa të përkohshme. Kemi turp t’i trokasim dikujt në derë, duhet t’i paguajmë qiranë. Nuk kemi ku t’i marrim. Kemi mbetur rrugëve. Ku të shkojmë, nuk kemi rrugëdalje”.

“Për momentin nuk kemi asgjë, kështu siç na shihni. Ndoshta më tej do të ketë diçka, por për momentin asgjë! Po qëndrojmë në një shtëpi tjetër”.
Prej më shumë se një jave, banorët kanë mbetur në mëshirën e fatit. Institucionet nga ana tjetër, po lëvizin shumë ngadalë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat