Ahmeti për "Katimerini": Anëtarësimi në NATO ul tensionet ndëretnike

Maqedonia

Ahmeti për "Katimerini": Anëtarësimi në NATO ul tensionet ndëretnike

Më: 22 maj 2015 Në ora: 12:16

Derisa ka zgjatur konflikti në Kumanovë mes një grupi të armatosur dhe forcave policore, ish komandanti i përgjithshëm i UÇK-së, tani kryetar i BDI-së Ali Ahmeti, ka negociuar me këtë grup të strehuar në Kumanovë. Ata kanë kërkuar nga Ahmeti që të ndërmjetësojë dhe më pas të largohen, por ai u ka thënë se duhet të dorëzohen.

Kështu e ka nisur tekstin e vet, gazeta greke "Katimerini" duke përcjell bisedën e kreut të BDI-së Ali Ahmeti, dedikuar zhvillimeve të fundit në Maqedoni.
Gazetari grek Stavors Ximas, ka marrë përgjigje madje nga kryetari i BDI-së Ahmeti se nuk ekzistojnë plane për Shqipëri të Madhe, ndërsa kur Maqedonia do të bëhet anëtare e NATO-s, atëherë do ulen tensionet.

Ahmeti ka thënë se ndodhitë në Kumanovë janë rezultat i pasigurisë rreth ardhmërisë euroatlantike të vendit dhe kjo u jep mundësinë apo justifikimin disa grupeve të shkaktojnë incidente.

"Ndodhitë në Kumanovë duhet të rishqyrtohen me pjesëmarrje të organizatave ndërkombëtare, ndoshta edhe të NATO-s", deklaroi Ahmeti për gazetën greke "Katimerini".

I pyetur nëse incidenti mund të reflektohet në marrëdhëniet ndëretnik, pra midis dy bashkësive etnike në vend, Ahmeti u përgjigj:

"Jam i bindur se tensionet do të ulen sapo Shkupi të bëhet anëtare fuqiplotë e NATO-s. Pasiguria dhe mungesa e paqartësisë në integrimet si dhe në përkushtimin e qëllimeve strategjike, shkaktojnë pasiguri edhe tek shqiptarët. Ftoj vendet fqinje të marrin parasysh stabilitetin në rajon dhe të kontribuojnë në paqen dhe sigurinë me konstruktivitet mbi gjitha çështjet e hapura...", tha Ahmeti.

Madje lideri i BDI-së Ahmeti ka thënë se Shqipëria e Madhe nuk është projekt i shqiptarëve.

"I jemi përkushtuar Evropës së madhe me kryeqytetin e Brukselit, ku të gjithë, shqiptarë, grek, serb, gjerman dhe të tjerë do të jetojmë mirë", ka sqaruar Ahmeti, duke shtuar se të gjithë duhet të angazhohen në zgjidhje politike, të vazhdohet me reformat e rekomanduara nga KE dhe të intensifikohet dialogu me Athinën që të hapet rruga për paqe të përhershme, stabilitet dhe siguri, jo vetëm këtu por edhe në gjithë Ballkanin perëndimor./Alsat/

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat