Zaev: BDI të mos e lërë Gruevskin, për momentin

Maqedonia

Zaev: BDI të mos e lërë Gruevskin, për momentin

Më: 21 maj 2015 Në ora: 13:18

Lideri i opozitës maqedonase, Zoran Zaev, mendon se nuk ka ardhur ende momenti që Ali Ahmeti dhe BDI të tërhiqen nga qeveria Gruevski. Sipas Zaev, edhe pse BDI, por edhe PDSH e Thaçit, janë të varura nga pushteti dhe të përfshira në afera të paligjshme, çka ai pretendon se do ta vërtetojë përmes përgjimeve, sërish të dy partitë janë përfaqëësuese e etnisë së dytë më të madhe në vend.

“Është fakt se partitë parlamentare të shqiptarëve janë bashkëpunëtore me Gruevskin dhe shohim se si janë të lidhur me Sasho Mijallkovin. Prandaj nga to nuk mund të presim diçka që është në kundërshtim me qeverinë.

Ndoshta në të ardhmen gjërat mund të ndryshojnë”.

Ndërsa diplomatët e huaj në Maqedoni janë në dyshim mbi rolin e BDI-së në koalicionin qeverisës, pasi edhe pa të, VMRO DPMNE e Gruevskit sërish do të kishte shumicën absolute, në Parlamentin Europian, është debatuar mbi gjendjen në vendin fqinj, ku theksi është vënë te hetimi ndërkombëtar i asaj që ndodhi në Kumanovë.

Eurokomisioneri për ndihmën humanitare dhe menaxhimin e krizave, Kristos Stilianidis, tha se liderët atje duhet të marrin përgjegjësitë dhe të shohin interesin e vendit e jo të partive politike, ndërsa eurodeputeti Eduard Kukan kërkoi më tepër angazhim edhe nga Brukseli.

Më e ashpër u tregua eurodeputetja austriake, Ulrike Lunaçek.

“Mendoj që të gjithë u shokuam nga ky sulm brutal dhe vrasja e shqiptarëve në Kumanovë. Duhet të bëhet një hetim i pavarur për atë se çfarë ka ndodhur atje. Duhet të hetohen akuzat se Nikolla Gruevski, me përkrahjen e Rusisë, i ka inskenuar konfliktet e armatosura”.

Në fakt, ka qenë pikëisht Rusia, që përmes minsitrit të jashtëm, Sergej Lavrov, ka thënë se Shqipëria dhe Bullgaria po bëjnë plane për ndarjen e Maqedonisë, deklaratë kjo që është konsideruar si tërësisht e papërgjegjshme nga ministri i jashtëm bullgar, Daniel Mitov.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat