Pamje ekskluzive të hyrjes me dhunë në BFI! (Video)

Maqedonia

Pamje ekskluzive të hyrjes me dhunë në BFI! (Video)

Më: 6 maj 2015 Në ora: 22:00

Mediat shqiptare në Maqedoni kanë siguruar pamje ekskluzive nga kamerat e sigurisë, që tregojnë pikërisht momentin e hyrjes me dhunë në institucionin e Bashkësisë fetare Islame. Ngjarja ndodhi dy ditë më parë, dhe siç mund ta shihni nga këto pamje, turma ka hyrë e organizuar. Njëra pjesë e të pakënaqurve ka hyrë nga anash, ndërsa pjesa tjetër ka kapërcyer kangjellat e portës së madhe, për t’iu drejtuar derës kryesore të Bashkësisë Fetare Islame. Pas futjes së grupit të parë të personave, dhe mbylljes së derës automatike, grupi që e pasonte, ka thyer derën e xhamit duke u ngjitur në zyrat e BFI-së, si dhe duke zaptuar zyrat me forcë. Sic edhe tregojnë pamjet, besohet se në mes të personave që hynë me dhunë në BFI, ka pasur edhe të armatosur. Në pamje do të shihni se si këta persona, vendosin duart në xhepa, apo bëhen gati të nxjerrin, ato që dyshohen si armë të ftohta. Këta persona, mund t’i shikoni me pamje të ngadalësuar, dhe me shenjën e rrethit. Ish myftiu Ibrahim Shabani, ish sekretari i BFI-së Afrim Tahiri dhe Sekretari i Myftinisë së Shkupit Skënder Buzaku, pas mbështetjes nga ky grup personash, tashmë gjenden në Selinë e BFI-së të cilën vazhdojnë ta mbajnë peng ende atë, duke vendosur kushtet e tyre për largimin e kreut aktual Sulejman Rexhepi.

Pamjet janë pa audio, pasi janë siguruar nga kamerat anësore të sigurisë së institucionit fetar. Ish myftiu Ibrahim Shabani, ish sekretari i BFI-së Afrim Tahiri dhe Sekretari i Myftinisë së Shkupit Skënder Buzaku, arsyetojnë aktin me mungesën e legjitimitetit nga ana e Sulejman Rexhepit për të ushtruar funksionin e Reis ul Ulemasë së BFI-së, madje jo-legjitimiteti buron nga Kushtetuta dhe aktet normative të BFI-së. Por nga ana tjetër, kreu i BFI-së Sulejman Rexhepi, e quajti aktin e uzurpimit të dhunshëm si tentativë për nxitjen e mosmarrëveshjeve brenda komunitetit mysliman, e motivuar edhe nga kriza politike në vend.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat