Johanes Han: Situata në Maqedoni është tejet serioze

Maqedonia

Johanes Han: Situata në Maqedoni është tejet serioze

Më: 6 maj 2015 Në ora: 20:11

Maqedonia aktualisht ndodhet në krizë serioze, nga e cila mund të dilet vetëm me gjetjen e një zgjidhjeje politike, por edhe juridike, vlerëson komisionari për zgjerim i BE-së, Johanes Han.

Ai, njëherit ka shprehur shqetësimin e Brukselit për krizën në të cilën ndodhet vendi, duke kërkuar moslejimin e thellimit të saj.

“Situata në Maqedoni është tejet serioze dhe shkakton shumë kokëdhembje për ne, pasi nuk është më e pranueshme të ketë situata ku opozita nuk është në kuvend, ndërsa ekziston edhe përgjimi, që kërkon hetime të thella. Lusim të ketë trajtim politik të kësaj çështje në kuvend me themelimin e komitetit për hetime, por të ketë edhe hetime të mëtejme për rastin kriminal të kësaj çështje. Mendoj se këto janë parakushtet për vendin në rrugën e saj drejt BE-së”- deklaroi komisionari i BE-së për zgjerim, Johanes Han.

Njëherit, Han kërkoi nga të gjitha palët që të marrin përgjegjësitë e tyre për gjetjen e zgjidhjes, duke rivendosur dialogun politik dhe kthimin e besimit te institucionet.

Han, njëherit kërkoi që akuzat që dalin nga përgjimet të hetohen nga organet kompetente. Po ashtu ai kërkoi respektimin e parimit të pafajësisë, lirisë së mediave dhe të drejtat themelore.

Han, kërkon nga të gjitha partitë politike të angazhohen për shmangien e tensioneve politike dhe ndëretnike.

Komisioni Evropian i ndjek nga afër të gjitha zhvillimet dhe u ndihmon eurodeputetëve që janë lehtësues të bisedimeve mes partive politike, tha Han, i cili kërkoi urgjentisht të gjendet zgjidhje e qëndrueshme për perspektivën e popullit në Maqedoni.

Eurokomisionari nuk deshi të saktësojë nëse kriza aktuale do të lë vendin pa rekomandimin për fillimin e bisedimeve me BE-në, por vetëm theksoi se ende ka kohë dhe njerëzit e përgjegjshëm janë të vetëdijshëm për situatën në të cilën ndodhet Maqedonia.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat