Qeveria e Gruevskit i ka ditët e numëruara

Maqedonia

Qeveria e Gruevskit i ka ditët e numëruara

Nga: Valbona Mazreku Më: 6 maj 2015 Në ora: 14:47

Njohës të zhvillimeve politike në Maqedoni vlerësojnë se protestat e të martës në Maqedoni ishin të pashmangshme, madje ndoshta dhe paksa të vonuara, nëse merret parasysh e situata dhe zhvillimet e muajve të fundit në vend. Bekim Buçi, njohës i zhvillimeve politike dhe gazetar, vlerëson se qeveria aktuale, po shijon momentet e fundit.

“Përshkallëzimi i situatës në Maqedoni ishte i pashmangshëm pas gjithë atyre skandaleve që publikoi opozita maqedonase për pushtetin. Vetëm pritej se kur do të ndodhë një gjë e tillë. Unë qysh para një muaji e më tepër në një prononcim për ‘Bota Sot’ pata deklaruar se Maqedonisë mund t’i ndodhë skenari i Ukrainës. Protestat e mbrëmshme para qeverisë tregojnë se qeveria e Gruevskit i ka ditët e numëruara, tha Buçi.

Për më tepër sipas tij protesta e të martës nuk do jetë thjesht një protestë, por pakënaqësitë e qytetarëve do të vazhdojnë të shfaqen edhe në të ardhmen.

“Mendoj se në ditët në vijim qytetarët do të organizohen përsëri dhe do të protestojnë në mënyrë më masovike kundër kësaj qeverie jodemokratike e cila gjatë 9 viteve që kur është në pushtet ka instaluar një regjim diktatorial. Është mirë që kundër këtij pushteti janë shumica e qytetarëve maqedonas dhe shqiptarë të cilët kërkojnë ndryshime. Pra, mund të thuhet se rënia e këtij pushteti filloi më 5 maj 2015. Kjo qeveri e cila është zhytur thellë në krim, korrupsion dhe skandale të tjera duhet të ikë sa më parë. Mbrëmë policia ka rrahur studentë dhe të rinj të cilët kanë protestuar kundër qeverisë. Kur një pushtet ngre dorë mbi qytetarët e saj, atëherë nis fillimi i rënies së atij pushteti”, tha Buçi.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat