Përfaqësimi, BDI-ja pranon gjendjen e mjerueshme në Kuvend

Maqedonia

Përfaqësimi, BDI-ja pranon gjendjen e mjerueshme në Kuvend

Më: 4 maj 2015 Në ora: 16:46

Gjendjen e mjerueshme të nëpunësve shqiptarë në Kuvend pranojnë edhe në BDI. Nënkryetari i Kuvendit Rafis Haliti shpalosi të dhëna zyrtare të cilat dëshmojnë se shqiptarët dominojnë në pozitat më të ulëta dhe se përveç disa avancimeve të bëra jo më shpejtë se para 5-6 viteve, për një kohë të gjatë nuk ka pasur asnjë lëvizje pozitive. Tek bashkëpunëtorët dhe referentët, shqiptarët mbeten edhe më tej në ato pozita ku kishin filluar karrierën e tyre që para 5 apo 10 viteve. Haliti konfirmon se gjashtë nëpunës shqiptarë edhe pse të diplomuar, rrogat i marrin me shkollë të mesme. Aliti tha se këta të fundit do të jenë në fokusin e angazhimit gjatë periudhës në vazhdim.

“Kuptohet që ne çdo herë mbajmë llogari që sa I përket hierarkisë gjithsesi se shqiptarët duhet të jenë edhe në vijën vertikale të përfaqësuar në mënyrë adekuate. Ngel po ashtu një pjesë e administratorëve, pavarësisht shqiptarë, maqedonas, sidomos ato që kanë krijuar marrëdhënie, në momentin që janë punësuar, marrëdhënien e punës e kanë krijuar me shkollë të mesme, ngel gjithsesi që edhe statusi i tyre të rregullohet, pasi që brenda kohe kanë pas motivet e veta, gjë që është e mirë për Kuvendin dhe duhet të jetë synim për gjithë administratorët që të pajisen me shkollim superior. Në këtë rast kemi një numër do të thoja bukur të mirë të shqiptarëve që brenda kohe janë pajisur me fakultete dhe gjithsesi se se edhe në këtë drejtim ngel që të angazhohemi”, tha Rafis Aliti, nënkryetarë i Kuvendit.

Sipas të dhënave zyrtare, në grupin e bashkëpunëtorëve shqiptarët dominojnë në grupin e bashkëpunëtorëve të ri me gjithsej 11 të punësuar përballë 21 të punësuarve maqedonas, ndërkaq me titull bashkëpunëtor i lartë është vetëm një shqiptar. Gjendja më alarmante është në mesin e referentëve ku me 83% shqiptarët dominojnë për vite në grupin e referentëve të ri. Asnjë shqiptar aktualisht nuk është ngritur në shkallën referent i lartë, ndërsa vetëm 6 shqiptarë janë referent i pavarur përballë 42 maqedonasve. Në grupin e referentëve bëjnë pjesë të punësuarit me shkollim të mesëm ku ata mund të ngrihen deri në shkallën referent i pavarur. Ndërkaq ata me arsim të lartë nga bashkëpunëtor i ri mund të ngrihen në strukturat më të larta drejtuese. Në disa sektorë siç është ai i financave nuk ka asnjë të punësuar shqiptarë, ndërsa përfaqësimi prej 25% është arritur falë numrit të madh të përkthyesve.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat