Operatorët kulturorë akuzojnë Komunën për monopolizim të aktiviteteve kulturore

Maqedonia

Operatorët kulturorë akuzojnë Komunën për monopolizim të aktiviteteve kulturore

Më: 3 maj 2015 Në ora: 15:06

Komuna e Tetovës anashkalon operatorët kulturorë dhe monopolizon organizimet kulturore, duke mos përfillur organizatat joqeveritare dhe shoqëritë që merren me organizime kulturore. Kështu ka akuzuar ditë më parë, drejtuesi i Qendrës për bashkëpunim ballkanik “Loja”, i cili ka kërkuar nga kryetarja e komunës, që të mundësojë edhe të tjerët, të marrin pjesë me organizimet kulturore dhe jo vetëm komuna.

“Ajo që ne e vërejmë dhe është viti i dytë që e përcjellim veprimtarinë e kulturës në Tetovë, është se komuna e Tetovës ka tendencë dhe këtë tendencë e implementon çdo ditë në nivel operacional, që të bëhet operatori më i madh kulturor në qytetin e Tetovës që ne mendojnë si e para që, është komplet aktivitet jo ligjor dhe nuk mundet që departamenti për kulturë, njëkohësisht të vlerësoje projektet që duhet përkrahur dhe të implementojë projektet e veta dhe ajo që shohim ne është se departamenti është implementuesi më i madh i projekteve. Kjo në thelb është veprimtari jo-ligjore dhe thellësisht besojmë se kjo është kundër çdo rregulloreje që ka prodhua vet komuna. Do ishte njëjtë sikurse Fondi për film ta zëmë nuk do shpall konkurs për filmat që duhet të xhirohen por të bënte realizimin e filmave vet”, deklaroi Bujar Luma, Qendra për Bashkëpunim Ballkanik “Loja”.

Njerëzit e kulturës, porosisin komunën që të mos bëj përjashtimin e atyre që merren me kulturë, që japin kontribut në këtë lëmi, sepse në këtë mënyrë na imponohet edhe shija kulturore.

“Është mirë që komuna organizon por megjithatë duhet të kemi edhe një kujdes që të mos bie gjithçka dhe të organizohet sipas shijeve konjukturale sepse atëherë neve na orientohet edhe shija. Prandaj për të pasur projekte cilësore kulturore, thjeshtë ne duhet t’i financojmë projektet më të rëndësishme kulturore dhe komuna duhet të ketë një strategji të tillë. Për të pasur një strategji të tillë ajo thjeshtë duhet t’i ofrojë rreth vetes të gjithë njerëzit që janë të dëshmuar në sferat e ndryshme të artit, dhe jo të krijojë agjenda duke mos i përfillur pikërisht njerëzit më të rëndësishëm dhe që kanë dhënë për kulturën”, theksoi Salajdin Saliu.

Kërkoi sqarime edhe nga ana e sektorit për kulturë në komunën e Tetovës, por pa përgjigje. Kurse kohë më parë, gjatë debatit për dy vjetorin e qeverisjes së komunës nga ana e kryetares Arifi, ajo iu premtoi operatorëve se do i thërriste për konsultime, por deri tani, nga informatat që morëm nga operatorët, ata nuk janë thirrur asnjëherë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat