Analistët: Porositë e ndërkombëtarëve, kambanë alarmi për pushtetin

Maqedonia

Analistët: Porositë e ndërkombëtarëve, kambanë alarmi për pushtetin

Më: 28 prill 2015 Në ora: 19:39

Porositë e Berlinit Zyrtar përbëjnë kambanë alarmi për pushtetin se përgjegjësia mbi veprimet e tij kriminale, është e pashmangshme. Njohësit e çështjeve politike vlerësojnë se deklarata e prerë e ambasadores gjermane, e cila theksoi se bazë për hetim të besueshëm të aferës së përgjimeve do të jenë dorëheqjet, dëshmojnë përfshirjen më serioze të bashkësisë ndërkombëtare në zgjidhjen e krizës politike, por paraqet edhe shpalosje të planit të tyre për kapërcimin e krizës.

“Izolimi i kësaj qeveria sa vjen e shtohet, të gjitha qendrat ndërkombëtare të vendosjes ia bëjnë me dije se dorëheqja është rruga e vetme e zgjidhjes së krizës, pra dorëheqja e qeverisë dhe prokurorit, me atë që do të hapet një mundësi dhe rrugë drejt zgjidhjes legale dhe institucionale të krizës me të cilën ballafaqohet Maqedonia”, tha Xhelal Neziri, analist.

Për Mariçiq, deklaratat e tilla, gjithashtu sugjerojnë që qeveria të jetë më fleksibile në bisedimet që zhvillohen në Bruksel.

“Këto porosi të bashkësisë ndërkombëtare i kuptoj si porosi ndaj qeverisë që të jetë më fleksibile gjatë bisedimeve që do të ndodhin apo ndodhin, sepse është e qartë se nuk shkojnë mirë. Pasi këto mesazhe përbëjnë tërheqje të vërejtjes se përgjegjësia është e piketuar dhe e qartë, dhe në këto bisedime qeveria ka shanse ta mbajë përgjegjësi me qëllim që ta shpëtojë shtetin nga skenarë më seriozë ose më të padëshirueshëm”, u shpreh Bojan Mariçiq, Qendra Maqedonase për Edukim Evropian.

Nga ana tjetër, Mariçiq dhe Neziri vlerësojnë se BDI nuk mund të ndihmojë në zgjidhjen e krizës duke qëndruar në këtë qeveri, siç pretendon Ahmeti, por vetëm bëhet bashkëpjesëmarrëse e krimit në të cilën është përfshirë qeveria.

“Në këtë moment, duke e mbështetur qeverinë dhe pushtetin, vështirë mund të merret si partner serioz, ndryshe nga Gruevski, ndërkohë që Gruevski është i përfaqësuar tanimë në bisedime”, theksoi Bojan Mariçiq, Qendra Maqedonse për Edukim Evropian.

“Ajo që duhet të bëjë Ahmeti është largimi nga qeveria sa më parë, me atë që do të jap një shtytje drejt zgjidhjes institucionale të krizës, dhe një reformim brenda partisë me atë që do të lejojë që gjykata të ndjek të gjitha ata që kanë shkel ligjin dhe kanë bërë veprimtari korruptive dhe kriminale në kuadër të pushtetit”, tha Xhelal Neziri, analist.

Pas Uashingtonit Zyrtar, dje edhe Berlini doli me porosi të qarta drejtuar qeverisë, se parakusht për një hetim të plotë dhe transparent është dorëheqja apo përgjegjësia politike e pushtetit.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat