Nuk arrihet marrëveshje mes Plenumit të nxënësve dhe MASH-it

Maqedonia

Nuk arrihet marrëveshje mes Plenumit të nxënësve dhe MASH-it

Më: 27 prill 2015 Në ora: 23:21

Ka përfunduar pa marrëveshje konkrete takimi mes përfaqësuesve të Plenumit të Shkollave të Mesme dhe Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës (MASH). Nga plenumi paralajmëruan se do të vazhdojnë me bojkotin e mësimit dhe se do të qëndrojnë në tendat e vendosura sot para godinës së Ministrisë, deri në momentin kur do të plotësohen kërkesat e tyre.

“U takuam me Ministrin e Arsimit Abdilaqim Ademi dhe zëvendësin e tij Spiro Ristovski. Katër përfaqësues tanë ishin lartë në takim. Ne do të mbetemi në kontakt me organet kompetente, bisedimet vazhdojnë. Ne tani për tani nuk arritëm asnjë marrëveshje!”, deklaroi Aleksandar Milevski, përfaqësues i nxënësve të shkollave të mesme.

“Gjatë këtij takimi asgjë nuk u arrit, bisedimet vazhdojnë. Nga dita e nesërme me siguri do të vazhdojmë me takimet dhe atëherë do të sqarohen gjërat më mirë dhe me këtë edhe veprimi i plenumit të nxënësve të shkollave të mesme”, tha Ismet Shabanoviq, nxënës.

Ademi dhe zëvendësi i tij Ristovski kishin përgjigjen e njëjtë për nxënësit. Ata thanë se reformat në arsim janë të mira dhe se nuk janë të gatshëm për kompromis. Gjatë këtij takimi, i pranishëm ka qenë edhe zëvendëskryeministri Vlladimir Peshevski.

“Sot bashkë me nënkryetarin Peshevski pranuam një delegacion të plenumit të nxënësve. Qëllimi ishte për t’i takuar dhe për t’i dëgjuar kërkesat e tyre, u sqaruam të njëjtëve që qëllimi kryesor është që ne t’ju sigurojmë arsim më cilësor për të gjithë dhe në asnjë mënyrë nuk kemi për qëllim që gjithë reformat dhe aktivitetet tona të jenë në dëm të nxënësve. U bëj thirrje nxënësve që të kthehen në bankat shkollore dhe të vazhdojnë me procesin edukativo arsimor, njëjtë edhe prindërit e tyre që të angazhohen bashkë me nxënësit që të ketë një proces të rregullt arsimor”, u shpreh Abdilaqim Ademi, Ministër i Arsimit.

“Qëllimi ynë sot ishte që të dëgjonim kërkesat e nxënësve të shkollave të mesme, të shohim se sa janë të artikuluara dhe precize kërkesat e tyre. Nuk mund të jap ndonjë afat. Kërkesa e tyre ishte që të takohen me ministrin dhe me këtë ata të ndalojnë me bojkotin e mësimit. Është e dëshirueshme që ata të ndalojnë dhe të kthehen në bankat shkollore pasi edhe ashtu një numër i madh i prindërve nuk duan të ketë bojkot, por megjithëkëtë një pjesë e fëmijëve po solidarizohen me nxënësit tjerë”, tha Vlladimir Peshevski, zv. Kryeministër.

Nxënësit e shkollave të mesme kërkojnë tërheqjen e testimit ekstern dhe mënyrën elektronike të maturës shtetërore si dhe kthimin e konceptit të vjetër të maturës shtetërore. Nxënësit paralajmëruan se edhe gjatë ditës së nesërme do të mbahet një takim me përfaqësues të Ministrisë së Arsimit.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat