Kekenovski: Salla e zbrazur ne Ohër dëshmi se Gruevski e ka humbur besimin

Maqedonia

Kekenovski: Salla e zbrazur ne Ohër dëshmi se Gruevski e ka humbur besimin

Më: 26 prill 2015 Në ora: 16:19

Mediat në gjuhën maqedonase publikuan pamje që sipas tyre dëshmojnë se salla në Ohër ishte thuajse e zbrazët gjatë fjalimit të Gruevskit. Këto pamje, sipas mediave, dëshmojnë se kryeministri Gruevski ka mbajtur fjalim para vetëm disa qindra qytetarëve të pa interesuar për atë që ka thënë vërtetë kryeministri. Iniciatori për reforma në VMRO DPMNE dhe kryesues i të ashtuquajturit “Forumi i patriotëve”, Jove Kekenovski thekson se këto pamje dëshmojnë se Gruevski dhe grupi rreth tij, e kanë humbur besimin e qytetarëve dhe anëtarësisë së partisë.
“E shihni se në fillim salla është e plotë, sepse njerëzit e kanë obligim dhe kanë presione të paraqiten në miting, por e shohim se me fillimin e fjalimit të Gruevskit ata largohen, që dëshmon se ata nuk besojnë në premtimet e tyre.. të pakënaqur nga ajo që u prezantohet aty, sepse nuk ka më ide, por përralla, ata ikin dhe e braktisin anijen që fundoset”, deklaroi Jove Kekenovski, Forumi i patriotëve.
Sipas Kekenovskit, të gjithë e kanë të qartë tashmë situatën e pashpresë në të cilën gjendet Gruevski. Tentativa e tij e fundit, -thotë Kekenovski, -është përpjekja që shpëtimin e karriges së tij ta paraqesë si interesin më të lartë shtetëror.
“Përkrahjen e ka humbur prej kohësh tek pjesa më e madhe e anëtarësisë, para se gjithash tek qytetarët e Maqedonisë. Këtë e kanë të qartë të gjithë ata që mendojnë, që ia duan të mirën shtetit dhe partisë, por nuk e ka të qartë vetëm ai... ndaj vazhdon të tentojë edhe më tej, fatmirësisht pa sukses, që shpëtimin e karriges së tij ta ngrejë në piedestalin e interesit shtetëror”, tha Kekenovski.
Pamjet që po bëjnë xhiro në media kanë nxitur edhe reagimin e ish ambasadorit maqedonas në SHBA, Nikolla Dimitrov, i cili në profilin e tij në Facebook shkruante se fundi politik i Gruevskit është gjithnjë e më afër.
“Thonë se nuk mund të presësh nga peshqit (në këtë rast politikanët) që ta braktisin vullnetarisht liqenin (pozitat). Por sa më shumë mbahen për karrige, të çlegjitimuar dhe të zbuluar, aq më i shpejtë do të jetë fundi i tyre. Uji filloi të vlojë, do t’u bëhet nxehtë si në ferr”, ka shkruar Nikolla Dimitrov, Iniciator për reforma në VMRO DPMNE në profilin e tij në fejsbuk.
Mitingjet javore partiake të partisë në pushtet, prej javësh ndiqen tashmë me interesim të vogël dhe atmosferë të vaktë. Opozita akuzoi disa herë se në këto mitingje detyrohen të marrin pjesë të punësuarit në administratë dhe familjarët e tyre.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat