Një emigrant tjetër 62 vjeçar, pëson aksident të rëndë hekurudhor

Maqedonia

Një emigrant tjetër 62 vjeçar, pëson aksident të rëndë hekurudhor

Më: 25 prill 2015 Në ora: 15:41

Një emigrant 62 vjeçar nga Afganistani ka mbijetuar pas një tjetër aksidenti të rëndë hekurudhor mbrëmë vonë. Në afërsi të stacionit hekurudhor Ilinden, një tren ndërkombëtar që qarkullonte në relacion Selanik – Shkup – Beograd ka goditur emigrantin duke e lënë me lëndime të rënda trupore. Menjëherë pas aksidentit, i lënduari është transportuar në Qendrën e urgjencës në Shkup.

Në momentin e aksidentit, bashkë me burrin 62 vjeçar kanë qenë edhe gruaja dhe djali i tij, të cilët janë transferuar në Qendrën pranuese për të huaj në Gazi Babë.
“Mbrëmë rreth orës 22:30, në hekurudhën Shkup – Tabanocë, në hyrje të stacionit hekurudhor Ilinden, ka ndodhur aksident hekurudhor kur treni ndërkombëtar që kalonte në relacion Selanik – Shkup – Beograd, ka goditur emigrantin 62 vjeçar nga Afganistani”

Qytetarët e Ilindenit thonë se përmes kësaj hekurudhe gati çdo natë kalojnë grupe emigrantësh, por nuk sjellin probleme për banorët lokal, deklaroi Liza Bendevska, zëdhënëse e MPB-së.

“Shpesh kalojnë, çdo ditë. Herë 5, herë 6, dje 3-4 kaluan. Natën kalojnë më shpesh. Gjatë ditës ka ndonjë herë, por më pak. Natën kalojnë plot”, tha një qytetar.

Ndërkohë një tjetër grup emigrantësh ilegal është zbuluar nga policia në rajonin e Gjevgjelisë. Policia ka vërejtur ngarkimin e emigrantëve në veturë të markës BMË në afërsi të Smokvicës. Pas urdhrit policor për të ndaluar, vetura ka rritur shpejtësinë dhe është drejtuar drejt Demir Kapisë. Pas përndjekjes disa minutëshe, është paraqitur problem në njërën prej rrotave të makinës që bartte emigrantët, që ka mundësuar arrestimin e shoferit dhe 8 emigrantëve nga Siria.

“Me personat e ndaluar është biseduar, pas çka disa prej tyre kanë bërë të ditur se mungojnë një vajzë 7 vjeçare dhe babai i saj. Policët të stacionit policor për kontroll kufitar Bogorodicë kanë filluar kërkimin e terrenit për gjetjen e 2 personat e zhdukur. Pas kërkimit gjatë gjithë natës, mëngjesin e sotëm rreth 10:30 janë gjetur edhe vajza 7 vjeçare dhe babai i saj”, theksoi Bendevska.

Emigrantët e ndaluar duhet të transferohen në Qendrën për emigrantë në Gazi Babë. Ndryshe, nëpër hekurudhat e vendit deri tani kanë humbur jetën 26 emigrantë të huaj viteve të fundit. Aksidenti më tragjik ndodhi para dy ditësh kur në afërsi të Velesit treni la të vdekur 14 emigrantë të huaj.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat