Sopotasit: Jemi të pafajshëm, kemi qenë viktimë e procesit të montuar

Maqedonia

Sopotasit: Jemi të pafajshëm, kemi qenë viktimë e procesit të montuar

Më: 24 prill 2015 Në ora: 16:10

Njëri nga ish të burgosurit për rastin e Sopotit Shaban Limani, tha se biseda e publikuara dje mes Jankullovskës dhe Mijalklkovit, edhe një herë dëshmoi pafajësinë e 11 banorëve të këtij fshati të cilët padrejtësisht ishin akuzuar për vendosjen e minës në këtë fshat në vitin 2003.

“Në bisedat e fundit u vërtetua se Sopotasit janë të pafajshëm, edhe pse çdoherë kemi thënë se jemi të tillë, mirëpo zëri jonë nuk është dëgjuar askund. Sopotasit duhet shpallur plotësisht të pafajshëm dhe mbi gjitha të gjenden autorët e vërtetë të rastit. Çdoherë kemi thëne se Sopoti nuk do ta pranojë këtë vepër dhe nuk do ta pranojë asnjëherë, sepse këtë vepër as Sopoti as banorët nuk e kanë bërë”, u shpreh Shaban Limani, Ish i burgosur.

Plaku Abedin Limani, thotë se kur ka dëgjuar nga goja e vet zyrtarëve se banorët e fshatit janë të pafajshëm pret një vendim të plotfuqishëm për lirimin e tyre. Eedhepse djali i tij i akuzuar për këtë rast Samet Limani, tashmë dy vjet ka ndërruar jetë, plaku 80 vjeçar thotë se nëse biri i tij tashmë i ndjerë ka qenë fajtor, është i gatshëm që vet ai por edhe djali tjetër të dorëzohen në pollici.

“Në qoftë se del djali im fajtor, unë edhe tjetrit ja dërgoj si peshqesh, madje edhe vet shkoj. Nuk jetoj me turp. Milion për qind, Zotin e kam dëshmitarë, nuk jemi fajtor. Me kon fajtor, një besë të Zotit po ua japë, edhe krahun bërryl e bëj. Meshkujt janë për burg, grat jo. Pleqtë e moçëm kanë thënë kështu, me lopë me punuar, guraja me të sunduar, nuk ka bereqet. Marre për këtë ministresh. Shqiptarët për gushe, romët për veshi. Jo bre mua nuk mundet të me marrë për qafe, se edhe macja si mace të gërvisht”, tha Abedin Limani, Prind i Samet Limani.

Bashkëshortja e Samet Lutfiut, tjetër i akuzuar për këtë rast, rrëfen maltretimet dhe vështirësitë që i ka kaluar deri sa burri i saj ka qenë në burg.

“Çdoherë e kemi ditur të vërtetën, por ajo mbrëmë zyrtarisht u zbulua, pafajësia jonë. Tash më secili e di se 7 vite i kanë kaluar në burg pa faj. 7 vite shumë keq jemi torturuar, të kalosh ne burg, pa faj, se kur ka faj ne të kalbet. Jankullovska thoshte le të kalbet, për atë nuk është asgjë por të na pyesësh neve e dimë se çfarë kemi hequr. 7 vjet burri në burg, edhe ne në shtëpi nuk kemi qenë mirë. Vajzën që në dy vjet e kamë endur nëpër burgje. Më duket se edhe trauma kemi marrë. Çiftit të Jankullovskës dhe Mijallkovit i duket i lehtë rasti jonë”, tha Sheribane Lurtfiu, bashkëshortja e Samet Lutfiut.

Për shpërthimin e minës në Sopot në vitin 2003, nga e cila kishin humbur jetë dy ushtarë polak të forcave të NATO-s dhe një shoqërues civil, 11 banorë të këtij fshati ishin dënuar me 156 vjet burg. Por shtatë vjet pas qëndrimit të tyre në burg, falë publikimit të dëshmive të ambasadorit Bigman, ish kryeministrit Buçkovski dhe dëshmitarit kryesor Ramadan Bajrami, banorët e këtij fshati u lanë të lirë, por sot e kësaj dite nuk ka një epilog gjyqësor për këtë rast.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat