Rexhepi demanton Jankullovskën: Në polici më kanë pyetur për Gushincën dhe UÇK-në

Maqedonia

Rexhepi demanton Jankullovskën: Në polici më kanë pyetur për Gushincën dhe UÇK-në

Më: 24 prill 2015 Në ora: 15:37

Shumë kontradikta mes informatave të ministres së brendshme Jankullovska dhe dëshmisë së njërit prej të arrestuarve në aksionin e mbrëmshëm në Kumanovë. Ministrja e brendshme njoftoi se janë arrestuar vetëm dy persona në shtëpinë e të cilëve është gjetur 800 gram eksploziv të llojit TNT, duke mohuar arrestimin e personit të tretë, inspektor në SPB-në e Kumanovës. Jankullovska tha se aksioni i mbrëmshëm nuk ka të bëjë me incidentin në Gushincë.

“Gjatë ditës së djeshme janë bërë kontrolle në tre objekte ku janë arrestuar dy persona. Mes mjeteve të tjera, janë gjetur edhe katër paketime me nga 200 gram TNT eksploziv. Kontrolli dhe aktiviteti i djeshëm i policisë që është realizuar me urdhër adekuat, tani për tani nuk e lidhim me sulmin terrorist në Gushincë, megjithatë është pjesë e punës së zakonshme të policisë”, tha Gordana Jankullovska, Ministre e brendshme

Por njëri prej të arrestuarve, i cili u lirua gjatë ditës, Shefki Rexhepi tha se mbrëmë u arrestuan tre vëllezërit, njëri prej të cilëve inspektor i policisë. Rexhepi madje tha se gjatë tërë kohës është pyetur për UÇK-në dhe incidentin në Gushincë.

“Biseda më e madhe është bërë rreth vitit 2001, kush është ky kush është ai. Mi kanë marrë kompjuterët, CD-në, dokumentacionin. E përzishin rastin e Gushincës. Thash nuk më intereson mua ajo punë, na punojmë për një rrogë, vëllam e kam ende brenda është invalid i tre luftërave. Të tre vëllezërit kemi qenë. Vëllai i vogël, ai punon në polici, atë e kanë liruar, mbrëmë e kanë liruar vetëm i kanë marrë deklaratë, mua sot më kanë liruar”, deklaroi Shefki Rexhepi, njëri nga të arrestuarit.

Ndërkohë ministrja e brendshme Jankullovska, hodhi poshtë si të pavërteta informacionet e publikuara mbrëmë në disa portale, për gjoja lëvizje të disa grupeve të armatosura në rajonin e Sarajit. Situata sipas saj është stabile, por informatat që kanë të bëjnë me sigurinë ajo thotë se nuk injorohen dhe përpunohen me shumë vëmendje.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat