Nxënësit kundërshtojnë reformat

Maqedonia

Nxënësit kundërshtojnë reformat

Më: 19 prill 2015 Në ora: 15:25

Në shumë qytete të Maqedonisë, nxënësit e shkollave të mesme për më shumë se dy javë janë duke e bojkotuar mësimin, në shenjë proteste ndaj reformave. Këto reforma ata i cilësojnë si joadekuate, pasi të njëjtat, sipas tyre, nuk synojnë përmirësim të arsimit të mesëm.

Nxënësit e shkollave të mesme insistojnë që lënda e Matematikës të hiqet nga matura shtetërore si lëndë e obliguar, si dhe të ndërpritet testimi ekstern.

Sulejman Rushiti, ish-ministër i Arsimit dhe Shkencës, konsideron se nxënësit, mësimdhënësit dhe të gjithë njohësit e sistemit arsimor, me të drejtë shprehin pakënaqësitë e tyre dhe nuk pajtohen me këtë qasje të Qeverisë sa i përket reformave në arsim. Kjo ngase pjesa më e madhe e reformave siç është matura shtetërore dhe testimi eksern, sipas tij,janë bërë pa një analize të thellë nga ekspertë të vendit po edhe ndërkombëtarë nga ato vende që me sukses e kanë përmbyllur procesin e reformave në sistemin arsimor.

“Ndryshimi i pakos së ligjeve që rregullojnë procesin arsimor për çdo vit, madje për çdo sezon, është një tregues i qartë se qëllimi nuk është të përmirësohet cilësia e sistemit arsimor, por qëllimi është që pushteti të sigurojë sa më shumë mjete, përkatësisht mekanizma në dorë për të shantazhuar punonjësit e arsimit, dhe jo për të rritur cilësinë e arsimit”.

“Pra, assesi nuk mund të flasim për reforma cilësore në një kohë kur pothuajse çdo ditë sillet ndonjë ide, e cila është e papërpunuar mirë, e paanalizuar mirë me kapacitetet që kanë shkollat për ta zbatuar, madje e paanalizuar në raport me përvojat që kanë pasur shtetet e zhvilluara të Evropës, të cilat kanë realizuar me sukses reformimin e sistemit arsimor. Thjesht, bëhet fjalë për veprime të ngutura duke pasur qëllim primar efektet dhe përfitimet që sjell politika ditore”, vlerëson Rushiti.

Ndërkaq, Biljana Dimovska, e cila përfaqëson plenumin e arsimtarëveqë mbështet bojkotin e nxënësve të shkollave të mesme, konsideron se reformat në arsim kanë marrë rrjedhë të gabuar duke mos prekur problemet bazë, me të cilat përballen mësimdhënësit, siç janë mungesa e teksteve shkollore, mungesa e mjeteve mësimore, ndërhyrja e theksuar e politikës gjatë punësimit të kuadrit arsimor, dhe nga ana tjetër, presioni i vazhdueshëm ndaj mësimdhënësve se mund të dënohen varësisht nga rezultatet e testimit ekstern.

“Plenumi i arsimtarëve si organ i pavarur qëllim parësor ka kthimin e dinjitetit të humbur të mësimdhënësve dhe njëkohësisht dhe mbrojtjen e interesave të nxënësve, veçanërisht në pjesën që ka të bëjë me sigurimin e dijes në përputhje me atë që kërkohet në tregun e punës. Po ashtu edhe krijimin e mekanizmave efikas për një vlerësim objektiv sa i përket dijes së marrë gjatë procesit të arsimimit".

"Ne do të vazhdojmë të ngremë zërin kundër reformave të këqija, sepse arsimtarët kanë obligim moral të kundërshtojnë të gjitha vendimet, të cilat janë në kundërshtim me interesat e nxënësve”, konsideron Dimovska me një përvojë22-vjeçare si mësimdhënëse.

Ajo thekson se një problem më vete paraqet dhe hendeku i thellë mes kushteve, me të cilat disponojnë nxënësit e shkollave në kryeqendër dhe ata që janë në periferi.

Dimovska thekson se pjesa më e madhe e objekteve të shkollave në viset rurale u takon viteve 50 të shekullit të kaluar, në të cilat mungojnë dhe kushtet bazë të higjienës, e të mos flasim për mjete të sofistikuara mësimore, të cilat parashihen me planprogram, ndërkohë që në këto shkolla janë të përfshirë mbi 50 për qind të nxënësve të vendit.

Ndërkaq, Gorica Iliovska, profesoreshë në Gjimnazin e Shkupit, duke komentuar bojkotin e nxënësve në shumicën e shkollave të mesme të vendit, të cilët kundërshtojnë mënyrën e propozuar të qeverisë për dhënien e maturës shtetërore, vlerëson se gjeneza e problemeve qëndron në mosprofilizimin earsimit, ku të gjithë filloristët drejtohen në gjimnaz.

“Nuk mund të arrihet ngritja e cilësisë së arsimimit të mesëm dhe atij fillor përmes testimit ekstern, ndërkohë që mungojnë kushtet bazë sa i përket infrastrukturës në shkolla, më pas mungon një strategji e mirëfilltë kombëtare, e cila do t’i drejtojë nxënësit nga shkolla fillore në atë të mesme sipas aftësisë së nxënësve dhe jo dëshirave të prindërve. Kjo e vështirësonarritjen e rezultateve të pritshme, si dhe shprehjen me sukses gjatë testimeve”, vlerëson Iliovska.

Por, Ministria e Arsimit konsideron se nëpërmjet testimit ekstern të nxënësve, ngrihet cilësia e arsimit duke i detyruar profesorët të jenë më objektivë gjatë notimit, përderisa risitë në dhënien e maturës i ka arsyetuar me filtrimin e nxënësve më të mirë për t`u orientuar kah shkencat natyrore.

Ndryshe, viti 2015 filloi me shprehjen e një varg pakënaqësish të punonjësve të arsimit dhe studentëve kundër provimit ekstern, njëherësh duke kundërshtuar gjobat për arsimtarët nëse vlerësimi i nxënësve nuk korrespondon me provimin përfundimtar.

Pas kësaj, Ministria e Arsimit u detyrua të pezullojë për një kohë ligjin që obligon studentët t`i nënshtrohen provimit ekstern dy herë gjatë studimeve, si dhe anuloi gjobat për arsimtarët e dënuar. Ndërsa, notat e testimit eksternedhe më tej mbeten valide gjatë përllogaritjes së suksesit të përgjithshëm të nxënësve, ç’gjë edhe ka nxitur reagimin e nxënësve dhe prindërve të tyre./Rel

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat