Angellov: Paraburgim urgjent për Gruevskin

Maqedonia

Angellov: Paraburgim urgjent për Gruevskin

Më: 1 prill 2015 Në ora: 19:33

Kryetari i partisë “Dinjiteti”, Stojançe Angellov kërkon paraburgimin urgjent të kryeministrit Gruevski, pas disa padive penale të ngritura kundër tij. Sipas Angellovit, rreziku është i madh që Gruevski të arratiset dhe të ndryshojë identitetin, të ndikojë tek dëshmitarët dhe bartësit e pozitave zyrtare, si dhe të fshehë dhe shkatërrojë provat materiale që dëshmojnë fajësinë e tij. Ai e përsëriti premtimin se prokurori i cili do të guxojë të arrestojë Gruevskin, do të shpërblehet me 1 milion euro.

“Kërkojmë nga Prokuroria Publike ose nga një prokuror publik i cili ka guxim, që menjëherë ti caktojë masë paraburgimi kryeministrit jo-legjitim Nikolla Gruevski, sepse janë përmbushur disa kushte për caktimin e paraburgimit. Si e para, ka rrezik që të vihet në ikje, sepse ka tepër para dhe mund të ikë në çdo moment dhe të marrë identitet të rrejshëm. Ekziston frikë e arsyeshme se do ti fshehë, falsifikojë ose shkatërrojë ose gjurmët nga veprat penale, do të ndikojë ndaj dëshmitarëve, hetuesve, bashkëpunëtorëve ose mbuluesve. Ekziston frikë e arsyeshme se do ti përsëritë veprat penale ose do të kryejë vepra të tjera penale”, deklaroi Stojançe Angellov, Dinjiteti

Angellov theksoi se në shumë institucione shtetërore tashmë ka filluar procesi i fshehjes dhe shkatërrimit të provave materiale dhe dokumenteve.

“Tani tentojnë ti fshehin gjurmët, jo vetëm në DSK, por sipas informatave të mia, që vijnë nga MPB-ja, në shumë institucione bëhet evakuim i të gjithë dokumenteve që janë dëshmi për vepra të kryera penale, por unë i porosis se nuk do të kenë sukses. Njerëzit do të mbesin, nuk mund ti largojnë njerëzit”, theksoi Angellov

Ndryshe, LSDM-ja dorëzoi dje në Prokurori denoncim penal kundër Nikolla Gruevskit për kryerjen e disa veprave penale, vetëm në aferën për përvetësimin e dy parcelave në Vodno. Bashkë me padinë penale, dorëzuan edhe bisedat telefonike që sipas tyre dëshmojnë fajin. Opozita paralajmëroi se për të gjitha indikacionet që do të dalin nga bombat e ardhshme, në vazhdimësi do të dorëzojnë padi penale kundër funksionarëve të përfshirë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat