Lideri i LSDM-së, Zoran Zaev, publikon “bombën e 15-të” me radhë

Maqedonia

Lideri i LSDM-së, Zoran Zaev, publikon “bombën e 15-të” me radhë

Më: 1 prill 2015 Në ora: 19:21

Lideri i Lidhjes Social Demokratike të Maqedonisë (LSDM), Zoran Zaev, vazhdon me shpalosjen e pretendimeve të tij rreth përgjimeve të bisedave telefonike të mbi 20 mijë qytetarëve, përfshirë edhe funksionarë të lartë shtetërorë, të cilat siç pretendon ai, dëshmojnë krime dhe manipulime të ndryshme të Qeverisë së kryeministrit Nikolla Gruevski, raporton Anadolu Agency (AA).

Në konferencën e sotme për shtyp, e cila si zakonisht mbahet në selinë e partisë, lideri Zaev tha se do të shpalosen një varg i skandaleve të reja të cilat siç pretendon ai konfirmojnë punën antikushtetuese dhe punën e paligjshme të Nikolla Gruevskit, kushëririt të tij Sasho Mijallkov dhe bashkëpunëtorëve të ngushtë të tyre, ndërsa më tej u shpreh se sot kemi një skandal të madh korrupsioni, me pasoja edhe për Maqedoninë, edhe për rajonin më të gjerë.

Në bisedat e para të publikuara, Zaev tha se dëshmojnë prova të drejtpërdrejta dhe të sakta për korrupsion të kreut të Drejtorit për Siguri dhe Kundërzbulim (DSK), Sasho Mijallkov, pas të cilit qëndron kryeministri Nikolla Gruevski. “Në këto biseda telefonike nuk flitet në shifra, këtu çdo gjë është e saktë si dita në agim. Këtu flitet për të holla të sakta, me shumë zero që përfundojnë tek Sasho Mijallkov”, u shpreh ai.

Ai shtoi se në këtë bisedë bëhet fjalë për blerjen e pajisjeve për shërbimin sekret të Maqedonisë nëpërmjet Izraelit, në të cilën dëgjohej zëri i Mijallkovit duke urdhëruar Svetlana Kostovën që të mos bëj asnjë hap pa u lëshuar 500 mijë euro. “Sasho Mijallkov me një femër me emrin Svetlana Kostova ka ndërmjetësuar për këtë biznes dhe është e njëjta femër të cilën herën e kaluar e dëgjuam duke falënderuar Mijallkovin që e rregulloi në gjykatë”, tha Zaev, duke shtuar se vetëm për të filluar negociatat me personin Haim Hakeyny, Mijallkov kërkon 500 mijë euro.

Zaev shpalosi edhe disa mesazhe, për të cilat pretendon se kanë kontaktuar personi Haim Hakeyny me Mijallkovin për disa transferta parash. Siç tha Zaev, në njërin SMS dëshmohet se janë lëshuar 540 mijë euro dhe Mijallkov pajtohet që të realizojë takim me të, ndërsa disa ditë pas takimit Haim Hakeyny transferon tek Mijallkov edhe 840 mijë euro, deklaron Zaev.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat