Parcelat në Vodno, LSDM dorëzon denoncim penal ndaj Gruevskit

Maqedonia

Parcelat në Vodno, LSDM dorëzon denoncim penal ndaj Gruevskit

Më: 31 mars 2015 Në ora: 20:52

Nënkryetari i LSDM-së Damnjan Mançevski ka dorëzuar padi penale kundër Nikolla Gruevskit, Mile Janakievskit, Koce Trajanovskit dhe personave të tjerë, të përfshirë në përvetësimin e parcelave në Vodno. Bashkim kriminel, larje parash dhe keqpërdorim i pozitës zyrtare janë veprat penale që sipas LSDM-së janë kryer nga funksionarët më të lartë shtetërorë, përfshi edhe vetë kryeministrin, në aferën e parcelave në Vodno. Përkujtojmë se gjatë dy bombave të LSDM-së ishin publikuar dëshmi për përvetësimin e dy parcelave me sipërfaqe rreth 14 mijë metra katrorë, dhe ri-destinimin e tyre nga sipërfaqe e gjelbër, në sipërfaqe me leje për ndërtim dhe banim, me çka vlera e parcelave ka arritur 17 milion euro.

“Për blerjen e këtyre parcelave janë shfrytëzuar para që burojnë nga vepra të kryera penale. Për transferimin e këtyre mjeteve janë shfrytëzuar kompani të huaja, të themeluara në vende ku është lejuar që themeluesit të mbeten anonim për opinionin, ndërsa të njëjtat në Maqedoni kanë themeluar shoqëri tregtare me kapital të madh themelues në para të gatshme”, tha Damjan Mançevski, nënkryetar i LSDM-së.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat