Luftë ndëretnike apo luftë për demokraci në Maqedoni?!

Maqedonia

Luftë ndëretnike apo luftë për demokraci në Maqedoni?!

Nga: Valbona Mazreku Më: 31 mars 2015 Në ora: 12:57

Problemet ndëretnike në Maqedoni, nuk po shkojnë drejt normalizimit ashtu siç pretendojnë politikanë shqiptar dhe sllavo-maqedonas, po shumë më ngadalë, për të mos thënë se nuk po përmirësohen fare. Këto marrëdhënie u ashpërsuan edhe më shumë së fundmi pas publikimit të ashtuquajturave “Bombat e Zaev”, sa që shumë njerëz vunë në pikëpyetje nëse Maqedonia po shkon drejt një lufte ndëretnike.

Arsim Sinani, njohës i zhvillimeve politike, vlerëson se politikanët po duan ta bëjnë Maqedoninë të duket sikur është në luftë, por në të vërtet lufta më e madhe në Maqedoni është ajo për demokraci.

“Maqedonia nuk është në prag të luftës ndëretnike, por është në luftë për demokraci, liri të shprehjes. Maqedonia realisht ballafaqohet me konceptin e vjetër jugosllav dhe konceptin evropian. Ndërsa, partitë, raportet shqiptaro-maqedonase i përdorim për ruajtje të pushtetit. Pushteti i sotëm ka krizë morale prandaj i duhet krizë në raportet ndëretnike për të mbijetuar”, vlerësoi Sinani.

E për njohësin e zhvillimeve politike, gazetarin Bekim Buci, situata në të cilën ndodhet Maqedonia, është pasojë e partive maqedonase, të cilat nuk po mund të zhveshin petkun nacionalist dhe ta pranojnë realitetin.

“Që nga ardhja në pushtet e Nikolla Gruevskit në vitin 2006 marrëdhëniet ndëretnike çdo herë kanë qenë në pragun e shpërthimit. Politikat nacionaliste të kryeministrat sollën që raportet ndëretnike mes shqiptarëve dhe maqedonasve dukshëm të përkeqësohen. Ai duke menduar vetëm në fitoret e partisë së tij VMRO-DPMNE-së dhe personalisht në rejtingun e tij, e solli shtetin në situatë delikate dhe të rrezikshme, ndërsa e shkatërroi shtyllën që e mban në jetë Maqedoninë, e ajo është marrëdhënia ndëretnike”, tha Buci.

Por, këtij raporti nuk po i ndihmon fare as lideri i opozitës Zoran Zaev, i cili kohët e fundit ka filluar të publikojë fakte për përfshirjen e figurave politike të Maqedonisë në korrupsion dhe krim të organizuar.

“Lideri i opozitës maqedonase Zoran Zaev është duke publikuar të ashtuquajturat “bomba” nëpërmjet të cilave është duke publikuar krimin, korrupsionin dhe keqpërdorimet e pushtetit. Ai këtë është duke e bërë përmes publikimit të audio-incizimeve nga bisedat e funksionarëve dhe udhëheqësve të shtetit. Përmbajtja e atyre bisedave është tepër shqetësuese, sepse në to flitet për korrupsion të natyrave të ndryshme, keqpërdorime të mjeteve buxhetore, manipulime zgjedhore, ndërhyrje të politikës në gjyqësor dhe shumë skandale të tjera. Nëse lideri i LSDM-së Zoran Zaev nxjerr dëshmi për rastin ‘Monstra’ ku u vranë 5 maqedonas dhe nga ana tjetër 6 shqiptarë, u dënuan me burg të përjetshëm, atëherë kjo mund të jetë pikënisje për destabilizim të vendit, pasi që vetëm për shkak të dyshimeve se ky rast është i montuar, pati protesta të mëdha nga ana e shqiptarëve verën e kaluar”, tha Buci.

Sipas tij nëse përmbajtja e materialit të Zaevit vërtetohet, atëherë lidhur me këtë rast do të ketë reagim jo vetëm të shqiptarëve, por edhe të vetë maqedonasve. Prandaj, edhe në këtë kohë, sikundër edhe më herët stabiliteti i Maqedonisë është në duart e ndërkombëtarëve.

“Nëse del e vërteta për këtë rast, atëherë nuk përjashtohen protestat, as nga shqiptarët e as nga maqedonasit. Por, nuk është vetëm ky rast, ka edhe shumë raste të tjera për të cilat qytetarët mund të ngriten në protesta, ka edhe shumë skandale të tjera të këtij pushteti që mund ta sjellin vendin buzë greminës dhe kaosit të paparë në muajt në vazhdim. Unë mendoj se nëse faktori ndërkombëtar kyçet më seriozisht në zgjidhjen e krizës politike atëherë pasojat do të jenë më të vogla, në të kundërtën do të jemi dëshmitarë të një skenari të paparë deri më tani në Maqedoni, që mund të ngjajë me atë çfarë pamë në Ukrainë”, tha Buci, për “Bota sot”.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat