Selam Sulejmani: Noli, Gurakuqi dhe Konica i shërbyen Shqipërisë në momentin dhe kohën e duhur

Maqedonia

Selam Sulejmani: Noli, Gurakuqi dhe Konica i shërbyen Shqipërisë në momentin dhe kohën e duhur

Më: 31 mars 2015 Në ora: 12:31

Kombi ynë, në radhët e veta ka personalitete të shquara, figura historike që kanë bërë historinë tonë dhe për këtë më së miri flet vepra e tyre e përjetshme për të cilën ne u jemi mirënjohës dhe ndjehemi krenarë.

Duke u nisur nga fakti se pikërisht në muajin mars, përkojnë tri data të rëndësishme, siç janë:

50 vjetori i ndarjes nga jeta të Fan Nolit; 90 vjetori i atentatit ndaj Luigj Gurakuqit dhe
140 vjetori i lindjes së Faik Konicës, ne si shoqatë (Shoqata për kulturë dhe art “Tradita”) vendosëm që në përfundim të muajit mars (27 mars 2015) të organizojmë akademi përkujtimore në nderim të jetës dhe veprës së këtyre tre kolosëve, Nolit, Gurakuqit dhe Konicës.

Emrat, veprimtaria dhe veprat e tyre lidhen ngushtë me kulturën dhe historinë tonë më të re. Këto personalitete të shquara punuan e sakrifikuan gjatë gjithë jetës për lirinë, u përpoqën pa reshtur për të vënë në lëvizje të gjitha kapacitet kombëtare e ndërkombëtare, duke ua bërë Shqipërisë dhe shqiptarëve shërbimet më te çmuara në kohën dhe në momentin e duhur.
Për këto dhe njëmijë arsye të tjera, këto figura të ndritura meritojnë të kujtohen dhe nderohen me një vëmendje të veçantë, nga të gjithë shqiptarët, sidomos studiuesit dhe intelektualët.

Ata kanë hyrë në histori si personalitete të dëshmuara në mbarë botën shqiptare dhe më gjerë, si njerëz të ditur, poetë, shkrimtarë, përkthyes, por mbi të gjitha si politikanë dhe diplomatë të papërsëritshëm të kauzës sonë.
Sot, nuk pretendojmë të themi përtej asaj që është thënë deri më tani; nuk synojmë se kemi paraqitur diçka të veçantë nga ato që ju i keni lexuar, por kemi të gjithë obligimin dhe të drejtën ta përkujtojmë NOLIN, i cili e ruante me dashuri gjuhën shqipe dhe ritet e zakonet e të parëve. Njeriun, që u bë shtylla kryesore e bashkimit të shqiptarëve në shoqërinë VATRA në SHBA, krijuesin, botuesin dhe përkthyesin e pashoq që shqipëroi disa prej kryeveprave të letërsisë botërore; GURAKUQIN, figurën e tij poliedrike e madhore, diplomatin, gjuhëtarin, poetin e prozatorin, pedagogun, njeriun e kulturës, të pendës dhe të pushkës. KONICËN, i cili me të drejtë konsiderohet si një fenomen në fushën e mendimit politik, publicistik, kulturor e arsmimor përbrenda botës shqiptare.

Të tre këta kolosë i takojnë një brezi me edukatë dhe shkollim thellësisht tradicional, por që shkencërisht janë vula e modernes, pararendës të ideve properendimore dhe tezave që edhe sot e kësaj dite janë aktuale.
Ne të gjithë ndjehemi krenarë dhe të privilegjuar që këta kolosë që i përkujtojmë , do të mbeten përgjithmonë në kujtesën e kombit tonë, dhe jam i sigurt se çdo komb tjetër do të dëshironte t’i kishte për të tyre dhe do të mburrej me figura të tilla markante.

Fjala përshëndetëse në Akademinë përkujtimore kushtuar kolosëve të kombit: Nolit, Gurakuqit, Konocës, organizuar nga Shoqata për kulturë dhe art “Tradita”, në Tetovë më 27 mars 2015.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat