Nurellari: BDI le të vazhdoj në rrugën e saj evropiane

Maqedonia

Nurellari: BDI le të vazhdoj në rrugën e saj evropiane

Më: 29 mars 2015 Në ora: 11:59

Gjatë zhvillimit të punimeve të Kongresit tematik të partisë së Bashkimit Demokratik për Integrim e mori fjalën edhe Adri Nurellari, analist i njohur nga Republika e Shqipërisë i cili aktualisht punon si këshilltar i Zv. Kryeministrit Hashim Thaҫi e në të kaluarën ka qenë këshilltar i kryeministrit Sali Berisha.

Nurellari e vlerësoi lartë organizmin e këtij kongresi tematik duke thënë se partitë shqiptare zakonisht organizojnë veҫ kongrese elektorale për të mobilizuar strukturat në përgatitje për të marrë pushtetin ose kongrese formale sa për sy e faqje që të përmbushin obligimet ligjore dhe statutore.

Prandaj ai tha se ky është rast i rrallë dhe akti i madh përgjegjësie që një parti e cila është në pushtet të vendosë të ndalet e të reflektojë duke bërë një kongres përmbajtësor dhe kjo gjë duhet të shërbejë si model për partitë shqiptare në të gjitha trojet.

Në vijim ai foli për temat e trajtuara në kongres që gjithashtu dëshmojnë për një sens përgjegjësie të BDI-së jo vetëm ndaj elektoratit të vetë, ndaj komuniteti shqiptar por edhe ndaj mbarëvajtjes së Republikës së Maqedonisë.

Duke u ndalur tek nevoja e zbatimit të Marrëveshjes së Ohrit ai tha se nuk mund të ketë një zbatim të plotë të kësaj marrëveshje nëse nuk demokratizohet mbarë Maqedonia pasi përvoja e vendeve të Evropës e ka dëshmuar se problemet e brendshme etnike zgjidhen plotësisht vetëm nëse vendet adoptojnë plotësisht vlerat e lirisë dhe demokracisë.

Konkretisht në rastin e Maqedonisë ai tregoi se është vënë re një indiferencë nga njëri komunitet kryesor etnik i Maqedonisë ndaj asaj që ka ndodhur në komunitetin tjeter.

Mirëpo degradimi i marrëdhënieve mes opozitës dhe shumicës maqedonase ka shkaktuar një stanjacion të mirëfilltë të proceseve të integrimit Euro-Atlantik të Maqedonisë duke shkaktuar një kosto të patolerueshme edhe për popullin shqiptar.

Prandaj ai rekomandoi se shqiptarët nuk duhet të qëndrojnë duarkryq ndaj zhvillimeve të rëndësishme që cënojnë demokracinë sikurse ka qenë për shembull goditja e mediave opozitare maqedonase.

Po ashtu ai theksoi se shqiptarët në Maqedoni flasin me të drejtë për decentralizimin e pushtetit duke kërkuar një distribuim më të mirë të fondeve mirëpo kur iluministët nxorrën idenë e shpërqendrimit të pushtetit ata kishin parasysh një decentralizim jo vetëm në nivel vertikal mes pushtetit qendror dhe atij vendor por edhe nivelin horizontal në nivelin e ndarjes së pushteteve mes legjislativit, ekzekutivit dhe gjyqësorit.

Prandaj në të ardhmen shqiptarët duhat ta shohin këtë decentralizim pushteti me po të njëjtën vëmendje dhe një ndër format më të mira për të treguar vëmendje dhe përgjegjësi të komunitetit shqiptar ndaj zhvillimit të demokracisë dhe ekonomisë ndaj Maqedonisë është transferimi i qendrave të partive nga Tetova në Shkup ku edhe gjendet vendim-marrja qëndrore e këtij shteti.

Në kuadër të dëshmimit të nivelit të lartë të përgjegjësisë ai rekomandoi që BDI të vazhdojë me përpjekjet e serioze që ka bërë si faktori politik më i përkushtuar për integrimin Euro-Atlantik të Maqedonisë jo vetëm me vizita në qendrat ndërkombëtare të influencës por edhe në mbështetjen intensive të reformave të brendshme europianizuese të Maqedonisë.

Më tutje ai u ndal tek ҫështja e përgjegjësisë duke komentuar se BDI-ja nuk ka presione elektorale për t'u vetëreformuar pasi ka një kontribut të jashtëzakonshëm për përmirësimin e cilësisë së jetës së shqiptarëve në Maqedoni dhe mjaftojnë këto merita historike për t'i siguruar shumicën e votave edhe në të ardhmen. Mirëpo BDI-së i takon të vazhdojë të tregoj një përgjegjësi të madhe brenda saj duke marrë në konsideratë edhe koston oportune dhe të mos vetë-kënaqet me mbështetjen e madhe elektorale që ka falë meritave të së kaluarës por të investojë edhe në vizion në të ardhmen.

Për të dëshmuar përgjegjësi në këtë aspekt, shtoi Nurellari “është e nevojshme që të freskohen strukturat e BDI-së me sa më shumë kuadro të rinj duke ndërtuar një sistem të konsoliduar të demokracisë së brendshme në mënyrë që të lejohet sa më shumë hapësirë për karrierë meritokratike të të rinjve brenda partisë. Po ashtu në vlerësimin për kuadrot e partisë nuk duhet të përdoret si indikator suksesi vetëm numri i votave të siguruara gjatë zgjedhjeve por edhe performanca dhe rezultatet gjatë qeverisjes dhe administratës.

Pikërisht se BDI nuk ka presion elektoral prandaj edhe duhet që punësimet e reja nuk duhen parë vetëm si mundësi për të shtuar votat por edhe si mundësi për të përmirësuar burimet njerëzore duke angazhuar profesionistë të mirë-arsimuar që kanë për të kontribuar në rritjen e performancës.”

Në fund të fjalës së tij Nurellari tregoi se se një ndër mënyrat më të mira për të freskuar strukturat e BDI-së me kuadro është përqëndrimi i vëmendjes tek diaspora lidhja me të cilën, sipas tij, është zbehur shumë duke patur parasysh edhe nivelin e ulët të votave të diasporës në zgjedhjet e fundit.

Ai vuri në dukje se edhe zanafilla e luftës së shqiptarëve për liri e pavarsi i ka rrënjët në diasporë dhe vetë një pjesë e mirë e lidershipit të BDI-së ka kaluar një kohë të gjatë në diasporë prandaj edhe kjo traditë e lidhjes me diasporën duhet ripërtërirë. Nga diaspora BDI mund të sigurojë jo vetëm më shumë vota por edhe figura të reja të papërlyera që kanë mentalitet të nevojshëm perëndimore, përvojë të dobishme dhe kualifikime të avancuara.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat