Orav notë proteste MPJ-së për përgjimin e mundshëm të ambasadorëve

Maqedonia

Orav notë proteste MPJ-së për përgjimin e mundshëm të ambasadorëve

Më: 28 mars 2015 Në ora: 16:40

Pas publikimit të aferës së përgjimeve dhe informatave se janë përgjuar edhe ambasadorët e huaj në Maqedoni, shefi i misionit të BE-së në vend Orav ka dorëzuar notë proteste në Ministrinë e Jashtme. Nuk jepen detaje rreth përmbajtjes së kësaj note. Por Nga Minsitria vetëm konfirmojnë se kanë pranuar të njëjtën.
Euro-ambasadori në Maqedoni, Aivo Orav ka dorëzuar notë proteste në Ministrinë e Jashtme, pas informatave se në Maqedoni janë përgjuar ambasadorët e huaj. Orav përmes notës diplomatike kërkon të respektohet Konventa e Vjenës për marrëdhënie diplomatike. Nga zyra e ambasadorit Orav konfirmuan se kanë dorëzuar dokument të tillë në MPJ, por nuk sqarojnë detaje të përmbajtjes saj.

‘Jemi në komunikim të vazhdueshëm, por nuk mund të komentojmë kur bëhet fjalë për komunikim bilateral, përmes notës me shkrim apo ndonjë note tjetër. Komunikimin publik e shprehim përmes deklaratës’, thuhet në përgjigjen nga zyra e ambasadorit Orav.

Edhe nga Ministria e Jashtme konfirmojnë se kanë pranuar notën e protestës nga ambasadori Orav.

‘Nota është dorëzuar pas kanosjeve që u bënë në opinion nga ana e liderit të një partie politike se posedon materiale të krijuara dhe të fituara në mënyrë të paligjshme’

Për atë se ka pasur shkelje të Konventës së Vjenës para disa ditëve për Alsat M konfirmoi edhe zëdhënësja e Komisionit Evropian, Maja Koçijançiq. Ajo kishte shprehur shqetësim të thellë rreth pretendimeve për përgjimin e ambasadorëve të huaj, përfshi edhe të atyre të BE-së në vend. Ajo tha se nëse Maqedonia ka përgjuar korrespodencën diplomatike, kjo do të thotë se ka shkelur parimet e Konventës së Vjenës.

‘BE-ja ka shprehur publikisht shqetësimin e thellë rreth indikacioneve për përgjime masive, të një origjine dhe ligjshmërie të panjohur, përmbajtja e të cilave duhet t’i nënshtrohet hetimit nga autoritetet adekuate, në mënyrë transparente dhe të pavarur. Nëse korrespodenca diplomatike është përgjuar, kjo përbën shkelje të përgjegjësisë nga shteti mikpritës, bazuar në Konventën e Vjenës’, ka deklaruar Maja Kocijançiq – Zëdhënëse e KE-së.

Një pjesë e ambasadorëve të mëparshëm thonë se Konventa e Vjenës është si alfa dhe omega në diplomaci, por sipas tyre, sipas të drejtës ndërkombëtare, nuk janë parashikuar dispozita ndëshkuese, gjegjësisht nuk do të ketë pasoja.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat