Ligji për honorare ka shkaktuar kaos, për tre muaj ndryshohet tre herë

Maqedonia

Ligji për honorare ka shkaktuar kaos, për tre muaj ndryshohet tre herë

Më: 27 mars 2015 Në ora: 20:49

Funksionimi në praktikë i Ligjit të ri për honorare i cili hyri në fuqi më 1 janar jo vetëm që ka shkaktuar kaos për personat të cilën punojnë si honoraristë, por as institucionet shtetërore dhe propozuesi i ndryshimeve të ligjit për honorarë nuk kanë idenë se si duhet te realizohet paraqitja e honorarëve, shkruajnë mediat shqiptare në Maqedoni.

Për momentin nuk ka asnjë informatë zyrtare nga institucionet, siç janë Drejtoria për të Hyra Publike, Fondi Pensional dhe ai Shëndetësor se si po zhvillohet dhe cilat janë vonesat e procedurës për pagimin e kontributeve.

Të dhënat e vetme zyrtare për dy muajt e parë të publikuara nga Fondi Pensional dhe Invalidor janë se vetëm 999 persona të angazhuar me honorarë kanë paguar kontribute për sigurim pensional dhe shëndetësor, edhe pse në të dyja fondet janë paraqitur gjithsej 4928 raste për honorarë, por vetëm 999 kanë qenë të vlefshme, gjegjësisht i kanë plotësuar kushtet për të paguar kontribute.

Mirëpo edhe pse ne fund të muajit shkurt të këtij hynë fuqi ndryshimet e reja të Ligjit për honorar, i cili parashihte që të gjithë të punësuarit përfshirë këtu edhe funksionarët shtetërorë nëse vlera e honorarëve brenda një muaji kalon shumën e rrogës mesatare në Maqedoni prej 21.350 denarë, atëherë përveç tatimit personal do të duhet të paguhen edhe kontribute për sigurim pensional dhe shëndetësor.

Mirëpo, partia në pushtet VMRO-DPMNE tani më ka propozuar ligj të ri që është në procedurë parlamentare për miratim. Propozimi i ri i ligjit për honorarë përfshinë personat që janë të vetëpunësuar si avokatë, noter, përmbarues, tregtarë individual dhe parasheh që limiti të jetë tetë rroga mujore mesatare për çka do paguajnë kontribute, ndërsa mbi këtë shumë vetëm tatim personal.

Të gjithë ata që janë të angazhuar me kontrata dhe fitojnë deri në 4.200 euro në muaj, patjetër të paguajnë kontribute për shumën e përgjithshme.

“Propozojmë që kufiri i lartë duhet të jetë në 12 paga mesatare, gjegjësisht për çdo person që merr kompensim mujor në vlerë prej 12 rrogave mesatare në nivel të Maqedonisë, të paguhen kontribute për sigurim të obligueshëm social dhe tatim personal. Mbi këto 12 rroga mesatare mujore të paguajnë vetëm tatim personal. Ky është kufiri i lartë që e propozojmë. Për personat që janë të vetëpunësuar si avokatë, noter, përmbarues, tregtarë individual, ky limit të jetë tetë rroga mujore mesatare për çka do paguajnë kontribute. Mbi këtë shumë vetëm tatim personal”, tha Kërsto Mukovski deputet i VMRO.

Gjithashtu propozimi ndryshimet e reja të ligjit për honorarë mes tjerash parashohin që personat që fitojnë në bazë të çfarëdo kontrate më së voni deri me datë 5 të muajit do duhet t’i lajmërojnë kompensimet që i kanë marrë gjatë muajit të kaluar. Zgjidhja e deritanishme ishte që lajmërimi të bëhet në afat prej 5 ditëve pasi të paguhen honorarët.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat