Si ta provosh kombësinë në Maqedoni?

Maqedonia

Si ta provosh kombësinë në Maqedoni?

Më: 27 mars 2015 Në ora: 18:28

Kombësia e qytetarit nuk pasqyrohet në asnjërin prej dokumenteve personale dhe shtetërore të Maqedonisë. Një gjë e tillë është problem serioz, pasi të drejtat e pakicave varen nga kombësia e tyre. Qytetarët shqiptarë ankohen se zyrtarët nuk u japin vërtetim me të dhënat e librit amzë në të cilën vërtetohet kombësia shqiptare.

Sipas juristit Osman Kadriu, Maqedonia është një shtet multietnik dhe nacionaliteti duhet të vërtetohet për çështje të ndryshme. “Çështja e përcaktimit të nacionalitetit në dokumentacionet identifikuese dhe personale është mjaft e nevojshme sidomos në Maqedoni. Më herët, kishim një procedurë të tillë, kurse tani ky opsion është hequr prej disa vitesh, duke bërë që kombësia të deklarohet dhe jo të vërtetohet”, shprehet Kadriu për “Portalb”.

Sipas tij, këto dokumente “i shkojnë për shtat” bllokut maqedonas, pasi në këtë mënyrë nuk mund të bëhen statistika me përqindjen e popujve të tjerë që jetojnë në Maqedoni. Po ashtu, Kadriu nuk përjashtoi mundësinë që gjatë deklarimit dhe jo vërtetimit të kombësisë mund të ndodhin manipulime të shumta, si dhe të keqpërdoret edhe Marrëveshja e Ohrit. Sipas tij këtu u mohohet e drejta e qytetarëve për t’u pajisur me dokumentacion i cili iu takon me të drejtë.

Nga ana tjetër, Avokati i Populit, Ixhet Memeti thekson se feja dhe kombësia nuk vërtetohen, por deklarohen, praktikë kjo e thuajse të gjitha vendeve evropiane dhe perëndimore. “Etniteti dhe feja nuk dëshmohen nga asnjë organ, sepse atë nuk mund ta cakton shteti. Vetë individi vendos se si ndjehet dhe cilës përkatësi etnike i takon. Prandaj këto dy fusha nëse kërkohet vërtetim, bëhet deklarimi te noteri. Këto janë të drejta universale që praktikohen në vendet evropiane si dhe në ato perëndimore”, tha për Portalb, Memeti.

Ai shtoi se ende është numri i madh i qytetarëve qe nuk e deklarojnë përkatësinë e tyre etnike. “Numri më i madh i parashtruesve të cilët e kanë deklaruar përkatësinë etnike janë : maqedonas 36,85 %, shqiptarë 14,56%, romë 3,09%, turq 1.88, maqedonas mysliman 1,28%, serbë 1.17%, boshnjakë 0,66% dhe vlleh 0,31% . ndërkaq 40,48 për qind e popullatës nuk ka deklaruar kombësinë”, theksoi Memeti.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat