Afera "autostradat": Heshtin Janakievski dhe kompania kineze

Maqedonia

Afera "autostradat": Heshtin Janakievski dhe kompania kineze

Më: 27 mars 2015 Në ora: 15:58

Ministri i transportit dhe lidhjeve Mile Janakievski nuk u përgjigj në pyetjen e Alsat M nëse ka marrë provizion nga kontrata për ndërtimin e autostradave Kërçovë-Ohër dhe Milladinovc-Shtip. Nga kabineti i Janakievskit ndonëse premtuam se do të japin përgjigje, prapëseprapë nuk treguan nëse Janakievski është vërtet pjesë e planit korruptues të kryeministrit për provizion prej 25 milion eurosh, ashtu sikurse konfirmohet nga telefonat e publikuara një ditë më parë nga opozita. Po ashtu, edhe nga kompania kineze që fitoi bizneset për dy autostradat, vendosi të heshtte. Përfaqësuesit e ndërmarrjes u shprehën se pas konsultimit me avokatët e tyre, kanë vendosur të heshtin lidhur me regjistrimet e paraqitura nga opozita. Sipas audio materialeve të publikuara dje, qeveria është marrë vesh, përmes negociatave të drejtpërdrejta dhe jo përmes tenderit, t’i mundësojë kompanisë kineze “Sinohidro” autostradën Miladinovc-Shtip që të kushtojë 206 milion euro, ndërsa ajo nga Kërçova deri në Ohër, për 374 milion euro. Që në debatin parlamentar për propozim/ligjin për realizimin e projekteve infrastrukturore për ndërtimin e autostradave Miladinovc-Shtip dhe Kërçovë-Ohër opozita dha alarmin për koston marramendëse të dy projekteve.

“Kontratë të njëjtë të tillë me 51,49 me 2,5% interes ka lidhur Serbia edhe me kompaninë kineze Shandong High Speed Group. Por, imagjinoni, për 190 km, 333 milion dollarë”, kishte thwnw Jana Makraduli, LSDM.

“Nëse e shikoni këtë autostradë do të vëreni se për transhenë e parë është paguar 3,5 herë më lirë, se sa Kërçovë-Ohër. E dyta, 4 herë më lirë se Kërçovë-Ohër dhe e treta 3,5 herë më lirë sesa Kërçovë-Ohër. Nëse mendoni se kjo autostradë ka qenë më e lehtë për t’u ndërtuar, ja ku keni edhe një që ndërtohet në dy pjesë. Njëra është nga kompania italiane e tjetra nga një bullgare. Të para ndërtohet me çmim prej 2,12 milion eurosh, që do të thotë dy herë më lirë se Miladinovc-Shtip. Kompania e dytë bullgare e ndërton akoma më lirë, 1,82 milion euro ose tre herë më lirë se sa autostrada jonë”, kishte deklaruar Radmilla Sheqerinska, LSDM.

Në faqen zyrtare të internetit të kompanisë kineze “Sinohidro” që fitoi dy projektet, thuhet se ndërtimi i dy segmenteve ka kushtuar shumë më pak se sa marrëveshja e lidhur me autoritetet.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat