Ambasadorja gjermane: Nëse bisedat janë autentike, konfirmohen shqetësimet tona

Maqedonia

Ambasadorja gjermane: Nëse bisedat janë autentike, konfirmohen shqetësimet tona

Më: 27 mars 2015 Në ora: 11:14

Ambasadorja gjermane Christine Althauser thotë se së ajo dhe partnerët e tjerë ndërkombëtarë do të ndjekin nga afër zhvillimin e ngjarjeve dhe punën e gjykatës në raport me hetimet për rastin “Puç”. 

Në intervistën për REL, ambasadorja shprehet e shqetësuar për ngjarjet e fundit dhe vlerëson se “kriza politike po e vë vendin në një situatë të rëndë”, transmeton “Zhurnal”.

Ambasadorja bën me dije se Gjermania mbështet nismën e komesionerit Johannes Hahn për ndërmjetësimin e konfliktit dhe për mbikëqyrjen e hetimit gjyqësor të akuzave.

“Nga njëra anë, ne nuk mund të mos marrim parasysh akuzat që i lëshon opozita duke u bazuar në bisedat e përgjuara. Të dyja palët kanë depozituar kallëzime penale ndaj njëra-tjetrës në të njëjtën kohë, ndaj dhe gjyqësori duhet të luajë rol shumë të rëndësishëm në këtë proces dhe unë do t’i kushtoja vëmendje Raportit të Progresit për Maqedoninë, për vitin 2014, ku theksohen shqetësime serioze, madje edhe për ndikimet politike në gjyqësi. Nëse bisedat e përgjuara janë autentike, atëherë ato mbështesin shqetësimet e KE-së. Kjo na shqetëson vërtet shumë seriozisht dhe duhet të zgjidhet menjëherë nga pushtetit në mënyrë serioze”, deklaroi ambasadorja gjermane.

Por ajo kujtoi se këto çështje kanë karakter politik dhe se duhet të zgjidhen nga forcat politike në Maqedoni.

“Dialogu politik është pika fillestare, sipas pikëpamjes sonë, për kapërcimin e krizës. Që këto gjëra të bashkohen, ne vlerësojmë se është e nevojshme qasja paralele ndaj kërkesës për zgjidhjen e situatës. Dialog mes forcave politike me vullnet të mirë dhe paralelisht një hetim juridik i nevojshëm nga një gjyqësor i pavarur”, thotë Althauser në intervistën që do të publikohet të dielën e plotë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat