Janakieski nuk mohon bisedat, por hedh poshtë akuzat për ryshfet

Maqedonia

Janakieski nuk mohon bisedat, por hedh poshtë akuzat për ryshfet

Më: 27 mars 2015 Në ora: 10:32

Ministri i Transportit dhe Lidhjeve Mile Janakieski reagoi në profilin e tij në Facebook për akuzat e kreut të LSDM-së, Zoran Zaev, në lidhje me projektet e ndërtimit të dy autostradave.

Janakieski publikoi videon e deklaratës së zv.kryeministrit Vladimir Peshevski, ku ai thotë se “bisedat telefonike janë të montuara”, dhe vetë shkruan se qytetarët janë krenarë për ndërtimin e dy autostradave.

“Po ndërtohen dy autostrada në një pjesë të vendit ku nuk ka pasur asnjëherë autostrada, që do të thotë zhvillim i madh i shumë degëve dhe i lidhjes së barabartë shtetit. Ne do të përpiqemi të ndërtojmë edhe një autostradë në periudhën në vijim. Do të theksoj sërish se procesi është zhvilluar në nivelin më të lartë profesional dhe rezultatet e shënuara janë të tilla me të cilat duhet të jemi krenarë”, tha Janakieski.

Gjatë konferencës për shtyp mbajtur dje, lideri socialdemokrat Zaev publikoi përgjimet që tregojnë për trukimin e tenderit për ndërtimin e rrugëve dhe për negociatat me kompaninë kineze për lartësinë e ryshfetit që duhet të marrë Qeveria.

Sipas liderit socialdemokrat, përgjimet tregojnë sesi kryeministri Nikola Gruevski dhe ministri Janakieski kërkojnë nga kinezët ryshfet në lartësinë 5 për qind të vlerës totale të projekteve për dy autostradat, ose sipas përllogaritjeve, rreth 25 milionë euro.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat