Zaev publikon ‘bombën’ e radhës: Vjedhja e votave nga partia në pushtet

Maqedonia

Zaev publikon ‘bombën’ e radhës: Vjedhja e votave nga partia në pushtet

Më: 6 mars 2015 Në ora: 19:26

Lideri i Lidhjes Social Demokratike të Maqedonisë (LSDM), Zoran Zaev, në konferencën e sotme për shtyp shpalosi dëshmi, siç tha ai për “vjedhje të zgjedhjeve në Maqedoni, që janë bërë nga kryeministri Nikolla Gruevski me disa bashkëpunëtorë të tij”.

Zaev shpalosi biseda telefonike të sekretarit të përgjithshëm të partisë në pushtet, Kiril Bozhinovski dhe ministres së Punëve të Brendshme, Gordana Jankulloska, biseda ndërmjet Bozhinovskit dhe ministrit të Transporit dhe Lidhjeve, Mile Janakieski, biseda ndërmjet kryeministrit Gruevski dhe ministrit Janakieski, si dhe biseda telefonike të funksionarëve të tjerë partiak.

Zaev theksoi se në këto biseda telefonike dëgjohen dëshmi të falsifikimit të dokumenteve personale, gjoba me mijëra euro për kompanitë, presione të egra ndaj fermerëve, mësuesve, biznesmenëve, administratës, të gjitha këto sipas tij të përdorura gjatë zgjedhjeve. Ai gjithashtu shtoi se kjo konferencë do të zgjasë më gjatë dhe do të jetë vetëm fillimi i “parregullsive zgjedhore nga ana e pushtetit”.

“Ne kemi 50 persona në një banesë prej 40 metra katror”, dëgjohej një zë femre, e cila sipas liderit Zaev pretendohet të jetë ministrja Jankulloska, “Ka 40 njerëz në një shtëpi në fshat me 40 votues”, dëgjohej zëri i Jankulloskës në një bisedë tjetër telefonike.

Ndërkohë, në një bisedë tjetër po ashtu protagoniste ministrja Jankulloska me ministrin Janakieski, dëgjohen duke diskutuar zgjedhjet lokale në Kumanovë. Jankulloska thotë se duhet të bashkëpunohet me Bashkimin Demokratik për Integrim (BDI) që shqiptarët të mos dalin në zgjedhje, pasi vetëm kështu mund të fitohen zgjedhjet.

Në pyetjen nga gazetarët se a do të shpaloset rasti “Monstra”, Zaev tha se posedon detaje për parregullsi në lëndën e këtij rasti dhe në vazhdim do t’i shpalos edhe ato.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat