Mundësia për manipulim dhe keqpërdorim nga policia që rrezikon qytetarët

Maqedonia

Mundësia për manipulim dhe keqpërdorim nga policia që rrezikon qytetarët

Më: 6 mars 2015 Në ora: 00:22

Qytetarët kundërshtojnë ligjin e ri të cilin Parlamenti ditë më parë miratoi, dhe me anë të së cilit gjatë protestave të dhunshme policia mund të përdorë plumba gome. Qytetarët shprehen të brengosur duke thënë se shteti mundohet që me frikë t’i shuaj pakënaqësitë që kohëve të fundit krijuan protesta të shumta në vend.

“Unë jam shqiptarë dhe kam protestuar edhe për rastet e montuara edhe për studentët edhe për të gjitha shkeljet që po bëhen në vendit tonë. Është e tmerrshme të dëgjosh për këtë ligj. I kam parë fotografitë se çfarë pasojash lënë plumbat e gomës. Ajo që është edhe më e keqe, se MPB nuk do të kursen këto ndoshta edhe në protesta të qeta. Një kushëri timin e burgosën për protestat e rastit ‘Monstra’ dhe ushtruan dhunë mbi të edhe pse ai nuk kishte bërë asgjë. Kjo është e turpshme për një shtet, të mos guxosh as të protestosh dhe as të kërkosh drejtësi”, tha A.T., qytetar.

Familjari i i dy prej të akuzuarve për rastin “Monstra”, Bedri Ajdari i cili formoi Këshill iniciativ për protesta, thotë se ky ligj është bë për protestat e shqiptarëve.

“Me plotësimin e këtij ligji bëhet e ditur se duan të shuajnë protestat, mirëpo për të ndal protestat ata nuk duhet të montojnë raste dhe të burgosin persona të pafajshëm, e jo të miratojnë ligje për të gjuajtur protestuesit me plumba gome e shok bomba. Unë si qytetar janë kundër, sepse kam përvojë të hidhur në këtë aspekt”, tha Ajdari.

Kryetarja e komitetit të Helsinkit Urania Pirovska tha për Portalb, se ky ligj nuk ka qenë i nevojshëm, mirëpo u votua për të qetësuar dhe ndalur protestat e shumta të cilat shpërthyen kohëve të fundit.

“Pas publikimit të bombave të opozitës, dhe organizmit të protestave në të gjitha sferat, pritej që qeveria të ndërmerr një masë të tillë, me anë të së cilës do të mundohet të krijojë frikë dhe të qetësoj dhe shuaj protestat”, tha Pirovska.

Ajo shtoi se këto masa janë të tepërta dhe se ka shumë paqartësi ligjore se si duhet të përdoren.

“Kemi pa se edhe kur paralajmërohen protesta të qeta, dhe përfundojnë në atë mënyrë, policia është e gatshme me masat parandaluese, me bombola uji, dhe gaze lotsjellës gjë që ndikon negativisht ne protesta. Tani me ndryshimet e ligjit,, sërish nuk qartësohet se kur duhet të përdoren plumbat e gomës dhe mjetet tjera, dhe krijohet hapësirë për manipulim tendencioz, frikësim ndaj qytetarëve dhe në këtë mënyrë të shuhen protestat”, tha Pirovska.

Gjithashtu edhe kryetari i OJQ “Civil”, Xhabir Deralla kundërshton ligjin, duke theksuar se ai shkel të drejtat e njeriut dhe kufizon sundimin e drejtësisë dhe demokracisë.

“Porosia është e qartë, në gjuajmë në ju, nëse ju okuponi fakultete, bllokoni rrugët, me një fjalë, nëse ju ngriheni në demonstrata kundër nesh. Por proceset të cilat po zhvillohen në Maqedoni nuk mund të ndalohen me anë të plumbave të gomës dhe asnjë masë fizike nuk do të shuaj shprehjen e pakënaqësisë së qytetarëve”, tha Deralla.

Ai shtoi se edhe pse nuk njihen si vdekje prurës, plumbat e gomës mund të vrasin, lëndojnë si dhe të lënë pasoja të përhershme.

Eksperti për çështje të sigurisë, Nazmi Maliqi thekson se problemi qëndron në atë se një pjesë e organeve policore jo rrallë herë në praktikë kanë dëshmuar se tejkalojnë kompetencat e tyre.

“Nëse politikat ndërtohen mbi baza të mungesës së besimit dhe ky mosbesim është i dukshëm brenda politikanëve, udhëheqësve shtetëror, por edhe në mes qytetarëve, atëherë është e qartë se edhe ligjet më të mira evropiane në kushte të këtilla janë jofunksionale”, thekson, Nazmi Maliqi.

Ai thekson se problem në vete paraqet edhe mungesa e kontrollit të brendshëm në Ministrinë e Punëve të Brendshme, veçanërisht kur bëhet fjalë për tejkalim kompetencash.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat