Amerika interesohet për pjesëmarrësit maqedonas në luftërat në Irak dhe Siri

Maqedonia

Amerika interesohet për pjesëmarrësit maqedonas në luftërat në Irak dhe Siri

Më: 5 mars 2015 Në ora: 19:52

Ambasadori i ri amerikan në Maqedoni, Xhes Bejli, ka zhvilluar takim me kreun e Bashkësisë Fetare Islame, Sulejman Rexhepi, për herë të parë pas ardhjes në Maqedoni.

Rexhepi bëri të ditur se takimi është shfrytëzuar për diskutimin e fenomenit të pjesëmarrjes së qytetarëve të Maqedonisë në luftërat në Irak dhe Siri, dhe projektin Rad-Terr për parandalim e kyçje së qytetarëve të Maqedonisë në këto luftëra dhe risocializimin e atyre që kthehen, të prezantuar kohë më parë nga BFI-ja.

“Ambasadori premtoi se do të vazhdon atje ku paraardhësi i tiji ka lënë tragjet e fundit, ai do të vazhdon edhe më tutje në frymën e bashkëpunimit të mirëfilltë me të gjitha subjektet këtu në Maqedoni e sidomos me BFI-në. Edhe ne i garantuam se gjithmonë ashtu si e kemi dhënë kontributin tonë në të gjitha sferat, përsëri jemi të gatshëm të japim kontribut me vullnet të fortë, vetëm e vetëm që të krijohet një ambient i mirëfilltë siç është realiteti i RM-së si shtet multikonfesional, mulikulturor”, tha ai.

Rexhepi tha se për projektin e parandalimit të shkuarjes në luftëra huaja, Bejli kishte treguar interes të veçantë pasi ka vlerësuar se BFI-ja duhet të luajë rolin kyç në dhënien e mesazheve kundër pjesëmarrjes në këto konflikte.

Siç njoftojnë nga BFI-ja, Bejli ka mirëpritur edhe projektet e tjera të Bashkësisë Islamë, që kanë të bëjnë me funksionimin e komunitetit mysliman në Maqedoni.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat