Lyerja e Gjimnazit, komuna dhe drejtoria e shkollës fshehin skandalin

Maqedonia

Lyerja e Gjimnazit, komuna dhe drejtoria e shkollës fshehin skandalin

Më: 5 mars 2015 Në ora: 16:15

Komuna e Tetovës vazhdon të fshehë rastin e ndodhur javë më parë në Gjimnazin e Tetovës, kur nxënësit u ankuan se drejtoria iu kishte kërkuar nga 250 denarë për ta paguar lyerjen e brendshme të shkollës. Përgjegjësi për arsim në komunën e Tetovës njoftoi thirrjen në pyetje të drejtorittë Gjimnazit NamikqemalMustafa për të shqyrtuar rastin, megjithatë ende asnjë hap konkret në këtë nuk është ndërmarrë. Ekipi i televizionit Alsat tentoi të merrte prononcim për rastin në fjalë nga kryetarja e komunës së Tetovës Teuta Arifi dhe nga përgjegjësi për arsim AhmedQazimi, por që të dy i shmangen përgjegjësisë. Vetë drejtori i Gjimnazit të Tetovës e pranoi një shkelje të tillë para kamerave, madje duke kërkuar nga mediat që të mos e bënin të madhe këtë punë.

“Unë nuk them se nuk është e vërtetë, ata që i çojnë nxënësit, por nuk është problem. Kjo është në dorën tuaj, doni e bëni të madhe nuk doni mund ta tejkaloni”, deklaroi NamikqemalMustafa, Drejtor i gjimnazit.

Fill pas kësaj, përgjegjësi për arsim thirri në takim drejtorin Mustafa.

“Ne pasi e dëgjuam nga ju një denoncim të tillë do bisedojmë me drejtorin e shkollës organet e shkollës, do shihet se me çka ka të bëjë dhe pas kësaj do mund të dalim me ndonjë njoftim zyrtar”, tha Ahmet Qazimi, Përgjegjës për arsim në komunën e Tetovës.

Gatishmërinë për të hetuar këtë shkelje, e shprehu edhe kryetarja e komunës së Tetovës Teuta Arifi, por pas këtyre deklaratave, të gjithë iu shmangën mediave.

“Normalisht do shikojmë që nëse ka ndonjë situatë e cila i ve në pozitë jo të mirë nxënësit, ne do e rregullojmë në atë mënyrë që nxënësit nuk kanë nevojë të ngarkohen më tepër se ajo që ne e kemi pasur obligim dhe kemi bërë. Do e shohim dhe do e konsultojmë edhe më tutje si rast”, u shpreh Teuta Arifi, Kryetare e komunës së Tetovës.

Rasti u denoncua në ALSAT dy javë më parë, nga vetë nxënësit e Gjimnazit të Tetovës, të cilët thonë se ishin detyruar të paguanin nga 250 denarë, në mënyrë që shkolla të paguante borxhin për lyerjen e brendshme të shkollës.Pas inspektimit të rastit nga ALSAT, u mësua se paratë do i shkonin firmës private që kishte bërë lyerjen. Në pamundësi për të siguruar 6 000 eurot e lyerjes nga Komuna dhe Ministria e Arsimit, shkolla vendosi t’ua merrte nxënësve në mënyrë të paligjshme. Mbetet e paqartë nëse për lyerjen e shkollës pati thirrje publike nga Komuna apo kjo çështje u bë në të zezë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat