Grubi: Kërkojmë nga ndërkombëtarët ndihmë për procesin e përgjimeve masive

Maqedonia

Grubi: Kërkojmë nga ndërkombëtarët ndihmë për procesin e përgjimeve masive

Më: 3 mars 2015 Në ora: 20:10

Partneri shqiptar i koalicionit qeveritar në Shkup e quan të domosdoshme përfshirjen e faktorit ndërkombëtar në zbardhjen e aferës së përgjimeve në Maqedoni. Përfaqësuesit e partisë BDI thonë se, vetëm përmes përfshirjes së politikanëve të huaj në tejkalimin e krizës politike mund të garantohet një proces i besueshëm për të gjitha palët.

“Asnjëra palë këtu nuk i beson procesit të zhvilluar vetëm në vend. Ka gatishmëri, siç e shohim, për përfshirjen e komunitetit ndërkombëtar në zbardhjen e këtij rasti. Besojmë se përfshirja e tyre në rastin e përgjimeve masive do të sjellë kredibilitet mbi procesin, besueshmëri te të gjithë qytetarët, por dhe te palët e përfshira”, tha për mediat shqiptare Artan Grubi, deputet i BDI-së.

Përfaqësuesit e partisë shqiptare BDI i kanë shmangur komentet lidhur me përmbajtjen e bisedave të përgjuara mes zyrtarëve maqedonas, të cilët mes të tjerash dëgjohen duke përdorur terma fyes për shqiptarët, madje edhe për vetë ministrat e BDI-së.

“Unë mundem vetëm të përsëris qëndrimin zyrtar të kryetarit Ali Ahmeti, i cili kërkon një ekip politik, hetues dhe gjyqësor të deleguar nga Bashkimi Evropian, që do ta ndihmonte procesin hetues për të zbardhur rastin”, tha Artan Grubi, deputet i BDI-së.

Për situatën e krijuar në Maqedoni, pas publikimit të aferës së përgjimeve, pritet të diskutohet edhe në Kongresin tematik të BDI-së, që është caktuar të mbahet në fund të këtij muaji.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat