Përgjimi i ambasadorëve, Koçijançiç: Maqedonia ka shkelur rëndë konventën e Vjenës

Maqedonia

Përgjimi i ambasadorëve, Koçijançiç: Maqedonia ka shkelur rëndë konventën e Vjenës

Më: 2 mars 2015 Në ora: 15:20

Zëdhënësja e Komisionerit për fqinjësi dhe bisedime për zgjerim Maja Koçijançiq shprehu shqetësim të thellë rreth pretendimeve për përgjimin e ambasadorëve të huaj, përfshi edhe të atyre të Bashkimit Evropian në vend. Në një deklaratë për Alsat, Koçijançiq theksoi se nëse Maqedonia ka përgjuar korrespodencën diplomatike, kjo do të thotë se ka shkelur parimet e Konventës së Vjenës.

“Bashkimi Evropian ka shprehur publikisht shqetësimin e thellë rreth indikacioneve për përgjime masive, të një origjine dhe ligjshmërie të panjohur, përmbajtja e të cilave duhet t’i nënshtrohet hetimit nga autoritetet adekuate, në mënyrë transparente dhe të pavarur. Nëse korrespodenca diplomatike është përgjuar, kjo përbën shkelje të përgjegjësisë nga shteti mikpritës, bazuar në Konventën e Vjenës”, tha Maja Koçijançiç, zëdhënëse e komisionarit për fqinjësi dhe zgjerim.

Nga ana tjetër analisti amerikan për çështjet e Ballkanit Daniel Server, ka hedhur poshtë pretendimet e pushtetit se përgjimet i ka realizuar ndonjë shërbim i huaj.

“Jam i bindur se SHBA-ja nuk ka interes për destabilizimin e Maqedonisë dhe po ashtu jam i bindur se nuk është e interesuar aq për Maqedoninë që të përfshihej në një proces të përgjimit të mijëra njerëzve. Greqia dhe Rusia kanë më shumë arsye që të jenë të interesuara për një gjë të tillë, por nuk jam i sigurt se ata janë të përfshirë në përgjimet”, u shpreh Daniel Server, analist amerikan për Ballkanin.

Analisti amerikan gjithashtu ka hedhur dyshime mbi pretendimet e pushtetit rreth rastit “Puçi”, respektivisht për përgatitjen e grushtit të shtetit ndaj Qeverisë. Nga ana tjetër rreth pretendimeve për përgjimet e ambasadave të huaja në vend, bashkësia ndërkombëtare ka shprehur reagime serioze. Ambasada britanike, suedeze, italiane por edhe delegacioni i BE-së në Shkup iu bënë thirrje autoriteteve për një proces transparent dhe të pavarur gjyqësor që do të zbardhte pretendimet mbi përgjimet dhe përmbajtjen e tyre.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat