Ziadin Sela: Përkrahja e madhe na obligon të punojmë edhe më shumë

Maqedonia

Ziadin Sela: Përkrahja e madhe na obligon të punojmë edhe më shumë

Më: 1 mars 2015 Në ora: 00:05

Pas Kuvendit zgjedhor në nëndegën e Livadhisë, u zhvillua Kuvendi Zgjedhor i nëndegëve të qytetit të Strugës, Struga 1 dhe Struga 2.

Përveç anëtarësisë së gjërë, Kuvendin nga afër e ndoqi Kryetari i degës, Syrja Rashiti, Kryetari i Komunës së Strugës dhe bartës i procesit për reformim të PDSH-së, Ziadin Sela.

Për çështjet procedurale rreth organizimit të Kongresit të VI-të dhe të rregullt të PDSH-së, sa i përket zgjedhjeve të brendshme partiake, foli Syrja Rashiti, kryetar aktual i degës së PDSH-së në Strugë.

Ndërsa iniciatori i Lëvizjes për reforma në PDSH, Ziadin Sela sqaroi arsyet dhe nevojën që lindi për reformim të PDSH-së, por edhe skenës politike shqiptare në përgjithësi.

“Struganët duhet të mburren me faktin se ky proces filloi pikërisht nga Struga” – u shpreh ai, ndërsa nuk la pa përmendur edhe ngjarjet e fundit politike në Maqedoni.

” Partia Demokratike Shqiptare nuk është vula që dikush e mban në xhep kudo ku shkon. PDSH është platforma e saj që do të sjell zgjidhjen e problemeve të shqiptarëve. PDSH është Marrëveshja e re politike dhe kërkesat që dalin prej saj… Ne nuk do të kërkojmë mandat për tu bërë pjesë e qeverisë dhe të harrojmë problemet që i kemi si komb. Kur ne do të fitojmë mandatin, do të ketë krizë politike, e cila nuk do të zhbllokohet derisa të plotësohen kushtet tona. Kushti i parë që do të kërkojmë është Gjuha Shqipe zyrtare edhe në Strumicë, që do të thotë zyrtare në gjithë territorin e Maqedonisë.”- tha mes tjerash Ziadin Sela, bartës i procesit për reformimin e PDSH-së.

Për Kryetar të nëndegës Struga 1, u zgjodh Ilir Guzi, ndërsa për nëndegën Struga 2 u zgjodh Daut Çermenika.

Kuvendarë të nëndegëve të qyteti të Strugës, u zgjodhën Ilir Guzi, Daut Çermenika, Verim Kaba, Arsllan Istrefi, Alban Pollozhani, Shkëlqim Sadiku, Naser Iljazi dhe Mustafa Zabzuni.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat