Gruevski thotë jo s’jap dorëheqje

Maqedonia

Gruevski thotë jo s’jap dorëheqje

Më: 27 shkurt 2015 Në ora: 20:01

Kryeministri i Maqedonisë, Nikolla Gruevski nuk sheh asnjë arsye për të dhënë dorëheqje, pavarësisht aferave që po publikohen, me të dhe ministrat e tij si protagonistë.

Nga ana tjetër, Gruevski nuk pati koment, as nëse do të arrestohet Zaevi apo jo.

Për shqetësimet e tjera të ngritura nga gazetarët, kryeministri tha se i ka dhënë përgjigjet në konferencën e fundit për mediat.

Ai edhe të premten iu shmang komentimit të incizimeve të publikuara nga opozita, ku përveç ministrave dhe bashkëpunëtorëve të tij, protagonist është edhe ai vetë.

Pyetjes së vetme, të cilën Gruevski nuk hezitoi t’i përgjigjej, ishte ajo lidhur me dorëheqjen e mundshme.
“Jo”, tha ai prerë.

I pyetur se si është e mundur që shërbim i huaj sekret të hyjë në sistemin e sigurisë të shtetit, Gruevski u tregua fjalëpakë, duke thënë se kësaj pyetjeje iu përgjigj pak ditë më parë në konferencën për media.

“Lidhur me këtë u përgjigja gjatë konferencës për shtyp të mërkurën. Aty u përgjigja ndaj të gjitha pyetjeve të gazetarëve deri në fund, përfshi edhe këtë pyetje”, tha ai.

“Gjithçka do të vërtetohet gjatë procedurave gjyqësore”, tha ai.

Ndonëse Gruevski pranoi të jepte deklaratë për mediat, shumicën e kohës ai qëndroi indiferent ndaj çështjeve të ngritura nga opozita, ndaj komentimit të autenticitetit të bisedave apo të afërsisë së pushtetit me gjyqësorin, mediat etj.

Komentet të premten, u bënë gjatë përurimit të një salle sporti në fshatin Lubanci, ku përveç një pjese të përbërjes qeveritare, i pranishëm ishte edhe Johan Tarçullovski.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat