Deklarata e plotë e Thaçit për përgjimet, me kërkesë të PDSH-së

Maqedonia

Deklarata e plotë e Thaçit për përgjimet, me kërkesë të PDSH-së

Më: 27 shkurt 2015 Në ora: 12:30

Partia Demokratike Shqiptare (PDSH) ka kërkuar sot nga mediet që të publikojnë deklaratën e plotë të kreut të saj Menduh Thaçi, mbi çështjen e përgjimeve.

Në adresën e medieve, ka mbërritur e plotë deklarata e kreut të PDSH-së, në të cilën ai thotë se PDSH është e vetmja parti që nuk ka marrë pjesë në aferat e përgjimeve.

Deklarata është bërë pas takimit me kreun e Partisë së Socialistëve Evropianë, Sergej Stanishev.

Thaçi thotë se deri tani nuk është zbuluar asnjë argument se qeveritë ku ka marrë pjesë PDSH, kanë kryer përgjime.

Ai sqaron pozicionin e tij se kërkon hetimin e aferave të përgjimit që prej vitit 1992 dhe për këtë thotë se duhet formuar një komision, të cilin do ta drejtonte PDSH.

Deklarata e plotë e kreut të PDSH-së, Menduh Thaçit:

Kisha kënaqësinë që të pres në një takim sot drejtues të lartë të eurosocialistëve, në krye me Kryetarin e tyre. Biseduam për çështjet aktuale politike në vend, për problemin e bllokimit të procesit integrues që e ka Maqedonia si prioritet shumë të madh, si edhe për shumë gjëra të tjera siç: instrumentalizimin e medieve në Maqedoni, instrumentalizimin e drejtësisë, e kështu me radhë. Ishte shumë një bisedë e rehatshme dhe e qetë, ramë dakord që rruga e vërtetë për të dalë prej kësaj situate është rifillimi i dialogut politik mes katër forcave kryesore politike. Ai dialog duhet të jetë thelbësor dhe të merret me çështje thelbësore, e jo teknike dhe më pastaj në bazë të këtij dialogu të arrijmë që të marrim rekomandim pozitiv dhe të arrijmë që të hapim bisedimet me Unionin Evropian.

Unë konstatova se procesi i përgjimit nuk është proces i ri në Maqedoni, por është një proces i vjetër që prej vitit 1992. Viktima kryesore, pa konkurrencë, në këtë përgjim është kryetari i tanishëm i PDSH-së dhe kërkova që mundësisht këtë çështje ta institucionalizojmë. Të krijojmë një komision hetimor në parlament, komision i cili do të merret me cështjet e përgjimit që nga viti 1992 dhe se këtë komision duhet ta drejtojë Partia Demokratike Shqiptare, për shkak se është e vetmja parti që nuk ka marrë pjesë në këto aktivitete të paligjshme dhe jo njerëzore. Opinion e din se qeveria LSDM-PPD ka përgjuar, qeveria LSDM-BDI ka përgjuar, qeveria VMRO-BDI ka përgjuar dhe vetëm për qeverinë VMRO-PDSH nuk ka argumente të tilla, po të zbulohen edhe ata do të kenë të njëjtën trajtesë ligjore.

Mendoj se çështja e zgjedhjeve të parakohshme apo qeverisë teknike duhet të jenë pikat e fundit të këtij dialogu, pikat e para të këtij dialogu duhet të jenë çështjet thelbësore: procesi integrues, raportet ndëretnike, apo të drejtat e shqiptarëve, analiza e implementimit të Marrëveshjes së Ohrit, gjyqësia, çështja e mediumeve, a i kontrollon vërtetë qeveria mediumet, apo i kontrollon edhe dikush tjetër? Këtu është bërë shumë simpatike të thuhet se mediumet i kontrollon 90% VMRO-ja, 10% LSDM-ja, po tek maqedonasit, por tek shqiptarët mediumet i kontrollon 50% BDI-ja dhe 50% LSDM-ja dhe PDSH-ja është parti opozitare e cila s’ka asnjë medium që i mundëson të flet dhe të tregojë realitetin e vet. Po të nisemi nga ky aspekt dhe po të kemi zgjedhje të parakohshme, nuk po them se kush do të fitojë, përsëri këto do të jenë katër forcat politike që prapë do ta mbisundojnë parlamentin dhe problemin e kemi përsëri aty.

Për sa i përket akuzës së z.Verushevskit, për akuzat që nga viti 1993, dhe nëse të njëjtën do ta bëj edhe për funksionarët aktual, unë deklaroj se akuza janë bërë shumë herë, por ne nuk u besojmë institucioneve, nuk është diçka e re që e them, sepse edhe qytetarët nuk u besojnë atyre. Ky manipulim kaq i madh nuk guxon të fokusohet vetëm me një fazë, flas për një proces solid, anketues nga komisioni anketues dhe për një proces tërësisht transparent, që do të përfundojë në gjyq me transparencë, atëherë edhe qytetarët do të jenë më të qetë edhe ata që duan ta përsërisin veprën penale, nuk do ta përsërisin. Mua më kanë përgjuar Verushëvski, Cërvenkovski, Ali Ahmeti, Rankovici, etj dhe asnjë shqetësim, por është e dhimbshme dhe e turpshme për këto shqiptarë që sot shqetësohen se e kanë përgjuar Zaevin, asnjë fjalë nuk e kanë thënë sot e kësaj dite për përgjimet dhe ndjekjet që janë bërë liderit të PDSH-së, për përgjimet dhe ndjekjet që janë bërë fëmijëve të liderit të PDSH-së, është një situatë “crazy” e tha njëri nga delegacioni.

Unë i kam informacionet të limituara për aspektet e sigurisë dhe qetësisë, ndoshta pak më shumë se ju se jam opozitë, por mendoj se situata është serioze, se Maqedonia nuk është ndonjë shtet i vjetër, i fuqishëm, me konstalacione të forta në raportet ndërkombëtare dhe të sigurisë së brendshme. Imuniteti gjeneral i Maqedonisë është seriozisht i dëmtuar  me bllokimin e procesit integrues dhe duhet të jemi shumë të kujdesshëm të gjithë. Gjithashtu vëmendja e bashkësisë ndërkombëtare nuk është edhe aq e madhe për Maqedoni duke pasur parasysh problemet rajonale shumë më të mëdha, këtu e kam fjalën për raportet Serbi-Kosovë, çështjen e Bosnjës, problemet e mëdha ndërkombëtare siç është ajo e Ukrainës dhe lindja e mesme. Maqedonia nuk është aq në qendër të vëmendjes sa që neve na duket.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat