BESA kërkon nga Zaevi të publikojë përgjimet e politikanëve shqiptarë

Maqedonia

BESA kërkon nga Zaevi të publikojë përgjimet e politikanëve shqiptarë

Më: 27 shkurt 2015 Në ora: 12:19

Lëvizja BESA i ka drejtuar kreut të Lidhjes Social-Demokrate të Maqedonisë Zoran Zaevit një platformë ku i bën thirrje që të publikojë të dhënat eventuale për “të kaluarën e dyshimtë të politikanëve shqiptarë”.

Platforma është nënshkruar nga gjithsej 60 individë, përfaqësues të OJQ-ve, analistë politikë, gazetarë dhe profesorë e asistentë pranë universiteteve.

Në platformën që i drejtohet Zaevit, por edhe “secilit politikan ose institucion që ka të dhëna për hipotekat e politikanëve shqiptarë” të bëjë publikimin e tyre.

“Ai që i ka dhe nuk i publikon ato të dhëna, përveç që është kundër perspektivës së Maqedonisë – për të cilën aq shumë flitet këto ditë, aq më shumë do të mbahet mend si armik i kombit shqiptar në Maqedoni, sepse në atë mënyrë ka kontribuar që shqiptarët të mbeten peng të hipotekave dhe kjo të reflektohet edhe në gjendjen e tyre të përgjithshme në këtë shtet”, thuhet në këtë platformë.

Në këtë dokument, thuhet më tej se “ne konsiderojmë se është koha e fundit që përfundimisht edhe politika shqiptare në Maqedoni të lustrohet, sepse vetëm si e tillë ka mundësi të ndërtojë agjenda në favor të çështjes shqiptare në Maqedoni, por edhe në dobi të zhvillimit të shtetit të përgjithësi.”

“Që të mos mbetemi peng të atyre hipotekave, që gjenerata e re e shqiptarëve të mund të projektojë politika pa u përballur me të kaluarën e politikanëve të ndryshëm shqiptarë, konsiderojmë se publikimi i atyre të dhënave është në të mirë jo vetëm të pjesëmarrjes së shqiptarëve në skenën politike të Maqedonisë, por edhe në të mirë të shëndetit të gjithëmbarshëm politik të vendit. Në të kundërtën, pasojat mund të jenë të dëmshme jo vetëm për zhvillimet aktuale politike në vend, por edhe për ardhmërinë dhe perspektivën e vendit”, thuhet më tej.

Platforma është titulluar “Edhe shqiptarët pa hipoteka”.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat