Rasti ‘Tamara’, Todorovi nuk e sheh të arsyeshme të jep dorëheqje

Maqedonia

Rasti ‘Tamara’, Todorovi nuk e sheh të arsyeshme të jep dorëheqje

Më: 26 shkurt 2015 Në ora: 18:35

Në paraqitjen e parë në opinion pas protestave para ministrisë së Shëndetësisë ku u kërkuar dorëheqja e tij, ministri Nikolla Todorov sërish nuk e shikon të arsyeshme largimin nga posti. Pavarësisht dorëheqjeve të dy drejtorëve të Fondit, Todorov iu shmang përgjegjësisë, por theksoi se tashmë, qëndrimin e tij e ka shpalosur disa herë.

“Isha para ministrisë së Shëndetësisë dhe dëgjova atë që thanë qytetarët, ndërsa për pyetje të tjera, jam përgjigjur tashmë”, tha Nikolla Todorov, ministër i shëndetësisë.

Të njëjtën përgjigje Todorov dha edhe në institucionin ligjvënës, kur u kërkua llogari për rastin e Tamarës.

“Gjatë periudhës së kaluar, disa herë u përgjigja në këtë pyetje dhe sqarova gjithë procedurën për kompetencën në këtë procedurë dhe cili është roli gjatë vendimmarrjes për shërim jashtë vendit”, deklaroi Nikolla Todorov, ministër i shëndetësisë.

Në të njëjtën kohë, presioni ndaj sistemit shëndetësor është rritur më tej, me protestën e radhës nga qytetarë të pakënaqur, në Rostushë, pas vdekjes së një bashkëfshatari të tyre, sepse nuk iu sigurua automjet ambulance. Autoritetet u arsyetuan se nuk kishin pasur karburant për ta transferuar të sëmurin në Shkup. Viktima kishte përjetuar hemorragji cerebrale dhe vdiq pas mbërritjes me taksi, në Shkup. Edhe për këtë rast, Todorov tha se rasti po hetohet, pa ndjerë përgjegjësi si ministër.

“Inspektorati shtetëror sanitar dhe shëndetësor po heton rastin dhe presim që deri në fund të ditës ose nesër, të kemi raport të plotë. Nëse ka pasur ndonjë lëshim do të ndërmerren masa përkatëse”, tha Nikolla Todorov, ministër i shëndetësisë.

Banorët e Rostushës kërkuan masa më të rrepta në shëndetësi, duke shprehur frikën e se në Rostushë nuk marrin shërbimin e duhur.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat