‘Përgjimi’, Kançevska-Milevska braktisë presskonferencën

Maqedonia

‘Përgjimi’, Kançevska-Milevska braktisë presskonferencën

Më: 26 shkurt 2015 Në ora: 16:15

Ministrja e Kulturës Elizabeta Kançevska Milevska nuk u përgjigj në pyetjen nëse biseda e publikuar dje nga opozita është autentike dhe nëse është zëri i saj ai që kërkon më tepër hapësirë në lajmet e televizionit Sitell, në bisedë me kryeredaktorin Dragan Pavlloviq Llatas. Ajo tha se do t’ia lërë në dorë institucioneve të hetojnë bisedat e publikuara dhe të dalin me konkluzione juridike.

“Nuk kam koment. Dua të theksoj se secili shtet funksionon në bazë të sistemit dhe rregullimit juridik, duke respektuar të gjitha institucionet juridike. Atë ia lë sistemit të shtetit”, tha Elizabeta Kançevska Milevska, Ministre e Kulturës.

Lidhur me gjendjen e mediave në Maqedoni, Kançevska u përgjigj se ato funksionojnë të lira dhe të pavarura. Megjithatë pas pyetjes nëse ngjarja e sotme e ministres do të transmetohet në televizionin Sitell, Kançevska nuk u përgjigj dhe e braktisi Galerinë ku qëndronte për vizitë.

Ministre, e dimë se nuk është pjesë e sferës dhe programit tuaj, por si ministër në Qeveri, a mendoni se kemi media të lira dhe të pavarura?

“ Po”, u përgjigj Elizabeta Kançevska Milevska, Ministre e Kulturës.

A do të transmetohet kjo ngjarje në televizionin Sitell sonte?

Në një telefonatë të publikuar dje, ku sipas LSDM-së bisedojnë ministrja Kançevska Milevska dhe kryeredaktori i televizionit Sitell Dragan Pavlloviq Llatas, Ministrja e Kulturës kërkon nga Llatasi t’i japë hapësirë në lajmet qendrore të televizionit Sitell. Llatas ankohet se ka aq shumë porosi nga pushteti dhe lajmet e Sitellit janë shndërruar në propagandë të VMRO DPMNE-së.

Edhe ministri Mile Janakievski, i cili gjithashtu ishte protagonist në bombën e fundit të Zaevit, nuk komentoi autenticitetin e bisedave të publikuara.

“Nëse dikush vlerëson se ekziston çfarëdo krimi, duhet ta dorëzojë në Prokurori Publike. Ndryshe, gjithçka që deri tani ka publikuar Zoran Zaev, duhet të jetë objekt shqyrtimi në proces gjyqësor”, deklaroi Mile Janakievski, Ministër i Transportit dhe Lidhjeve.

Dy ndër ministrat më të përfshirë në materialet e publikuara deri tani nga opozita, Jankullovska dhe Stavrevski, prej tre javësh i shmangen daljeve publike dhe ballafaqimet me gazetarët.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat