Drama e një puçi të kontrolluar mbi demokracinë

Maqedonia

Drama e një puçi të kontrolluar mbi demokracinë

Më: 1 shkurt 2015 Në ora: 20:05

Ditëve të fundit ishim dëshmitarë të një aksioni të rrufeshëm policor, ku nën pranga u gjendën disa individë, ndaj të cilëve rëndon akuza e rëndë e organizimit të ‘’puçit shtetëror’’. Në shënjeshtër të këtij aksioni ishte edhe ish shefi i Shërbimit sekret, Zoran Verushevski dhe bashkëshorta e tij.

Për të qenë ky aksion edhe më spektakular, ishte vet kryeministri Nikolla Gruevski ai i cili kësaj ngjarjeje i dha dimensionet e një komploti të madh kundër Maqedonisë, madje edhe me impakt ndërkombëtar, kurse në qendër të këtij komploti ai kishte fiksuar liderin opozitar të LSDM, Zoran Zaev.

Se cilat janë prapaskenat dhe motivet e inskenimit të kësaj ngjarje spektakulare policore-politike, mendim morëm edhe nga publicist Emin Azemi, i cili për portalin tone deklaroi se ngjarjet e fundit janë rrjedhojë logjike e një paranoje politike që pushteti me muaj të tërë e ka projektuar përmes një inzhinjeringu perfekt mediatik. Në qendër të kësaj paranoje janë: opozita, mediat (ato që kanë ngelë) e pavarura, intelektualët mendjehapur, me një fjalë të gjithë ata që nuk mendojnë njësoj si pushteti aktual, shprehet ai.

Sipas Azemit, ky nuk është model i panjohur kur pushteti me metoda të tilla brutale shantazhon opozitën dhe mundohet t’ua mbyllë gojën jobashkëmendimtarëve, por ajo që shqetëson më tepër, thotë ai, është realiteti që na imponohet dhunshëm nga pushteti aktual, duke përjashtuar çfarëdo forme të veprimit demokratik që do ta ndryshonin këtë realitet.

Në anën tjetër publicist Azemi nuk e kursen edhe opozitën maqedonase nga disa krtitika që kanë të bëjnë drejpërdrejt me taktikat e veprimit të saj opozitar.
‘’Opozita aktuale maqedonase, në anën tjetër, i ‘’fali’’ shumë kohë Gruevskit në ngritjen e alibive të tija, në vend se opozita nga moment i daljes nga parlamenti të ndërtonte strategjinë e saj të veprimit. Për hir të së vëretës, deri më tani nuk kemi pa ndonjë strategji efikase opozitare, pos disa deklaratve bombastike të liderit të tyre që paralajmëronte shpërthimin e një ‘’bombe’’, e cila në vend se të pëliciste ashtu siç ishte menduar, ajo u shndërrua në mjet për ngjizjen e njëfarë simetrie alibish, sa kontraverze, po aq edhe neutralizuese dhe tash publikut po i servohet drama e një puçi të kontrolluar mbi demokracinë, në regji të vetë kryeministrit’’, konstaton bashkëbiseduesi ynë.

Në vazhdim ai sqaron opinionin publik se ‘’thelbi i veprës penale ka të bëjë me rrëzimin e pushtetit të zgjedhur përmes vullnetit ë lirë të qytetarëve, duke përdorur informacione komprometuese për bartësit e caktuar të atij pushtet’’. Kështu disi, thotë Azemi, është e formuluar akuza në adresë të të arresturave dhe liderit opozitar Zoran Zaev, aq më tepër kur sipas Kodit penal të RM (neni 305): ‘’Ata që përdorin forcë apo kërcënim serioz për ndryshimin e rendit kushtetues të RM, apo rrëzimin e organeve më të larta shtetërore, dënohen me më së paku 5 vite burg’’, saktëson ai.

Po t’i bëhet një intrepretim i lirë kësëj akuzë, shprehet me ironi Emin Azemi, i bie se çdo përpjekje e opozitës, mediave apo institucioneve të pavarurara për të hulumtuar dhe publikuar të dhëna relevante që zbulojnë veprime dhe fakte korruptive për pushtetin, kualifikohet si vepër penale dhe ‘’qerasen’’ me më së paku 5 vite heqje lirie.

Në fokus të observimit të tij është edhe gjyqësia dhe mangësitë që përcjellin sitemin gjyqësor tek ne.
‘’Materialet e konsfiskuara në benesat e të arrestuarve, por edhe ato që i ka paralajmëruar Zoran Zaev, në vend se të jenë objekt shqyrtimi i gjyqësisë dhe prokurorisë, si prova materiale që do të dëshmonin përfshirjen e pushtetit në afera korruptive, ato përdoren politikisht nga kryeministri për të transformuar faktet komprometuese në broçkulla politike. Vetëm në një shtetet me mungesë të theksuar të gjyqësisë së pavarur, politikanët e luajnë rolin e gjykatësve, kurse të akuzuarit shpallen fajtor me vendim politik, para se këtë ta kenë bërë organet e drejtësisë’’, nënvizon Azemi.

Duke e përshkruar gjendjen në të cilën pushteti e ka futur shoqërinë, publicist Azemi konstaton se Gruevski në mënyrë arbitrare ia ndalon opozitës që të merret me të. Ia ndalon të hulumtojë dhe të mbledh të dhëna që komprometojnë atë. Kjo është e paparë, është e frikshme, thotë ai dhe vazhdon: ’’Kryeministri, në këtë mënyrë, po e privon opozitën nga të gjitha mjetet legjitime demokratike për ta luajtur rolin që ka - të jetë korrektore e pushtetit. Kjo i ngjan ndjekjes së shtrigave, duke futur opozitën në një ambient të mbyllur ku bombola e mbushur me gas do të detyronte ate të hidhet nga dritarja për të shpëtuar kokën por jo edhe këmbët. Pra, kur pushteti ia mbyll dyert opozitës dhe kur kjo e fundit shpëtimin e gjen duke kërcyer nga dritaret, atëherë duhet të bëhemi gati për tronditje më të mëdha politike e shoqërore’’, shprehet Azemi.

Për të mësuar pak më shumë se çfarë implikimesh mund të kenë këto ngjarje në atmosferën e përgjithshme politike në Maqedoni dhe sidomos në kampin politik shqiptar, në veçanti, Azemi është i mendimit se si edhe në raste të ngjashme, kur efektet politike të krizave kanë prekur shumë segmente të jetës shoqërore, faktorët politikë shqiptarë (në pushtet dhe opozitë) janë sjellur nën nivelin e dinjitetit që ata i obligon përgjegjësia politike. Kjo ka ndodhur, sipas tij, për pasojë të disonancave që ata kanë ndrëmjet veti, por edhe për pasojë të strategjive të munguara politike kundrejt estabilishmentit politik maqedonas, qoft ai në pushtet apo në opozitë.

Me fjalë të tjera, shton ai, dhe për ta kuptuar më shkoqur gjendjen të cilën e kanë krijuar partitë dhe liderët shqiptarë në Maqedoni, duhet analizuar sjelljen e tyre politike kur ndodhen në pushtet dhe kur kalojnë në opozitë.

‘’Vetëm partive shqiptare në Maqedoni u ndodhë që here-herë të luftojnë me mjete opozitare edhe atëherë kur janë në pushtet dhe të bëhen vegla qorre të pushtetit atëherë kur janë në opozitë. Prandaj ata tani nuk dinë si të sillen kur kolegu i tyre Zaev shantazhohet nga kryeministri i vendit dhe kur situata politike nga çasti në cast po degradohet për pasojë të praktikave tepër autokratike e totalitare të pushtetit në raport me opozitën.
Liderët shqiptarë ende gabimisht mendojnë se kriza e tanishme politike ka dimension brendaetnik maqedonas, dhe janë shumë pak të vetëdijshëm se dimensionet e kësaj krize mund të prekin edhe ardhmërinë e tyre polititike dhe të mbështetësve të tyre. Fundja, metodologjia që ka zgjedhur kryeministri për të nxjerrë nga binarët normalë veprimin opozitar maqedonas, nuk është një metodologji që bazohet mbi ndonjë selektim të rastësishëm të viktimave politike. Ajo, parasegjithash, është një tren i gabuar që po e bën marshutën e vet të radhës sipas një itinerari tepër misterioz, ku askush nuk e din cakun dhe kohën e arritjes. Derisa të arrijmë ta kuptojmë nëse liderët shqiptarë do të pranojnë me vullnet të bëhen konduktorë të atij treni, apo udhëtarë të zënë peng, shoqëria e këtushme do të vuaj edhe për një kohë pasojat e moskonsodildimit të brendshëm, brenda një axhende që do të rikonfiguronte një realitet krejt rë ri politik, social e shoqëror’’, ka deklaruar për Zhurnal-in, Emin Azemi.

Por e gjithë kjo atmospferë e tendosur politike në Maqedoni nuk ka mundur të kalojë pa u vërejtur nga diplomatët e huaj. Lidhur me këtë, bashkëbiseduesi ynë është i mendimit se në kushtet kur ndikimi i mediave të pavarura dhe intelektualëve është reduktuar në suaza të pëshëpritjeve, publiku ka nevojë shumë për mendimin e diplomatëve dhe të dërguarve të ndryshëm, që nga afër e ndjekin gjendjen në Maqedoni, sidomos në situate të tilla kur mbyllen të gjitha kanalet e komunikimit në relacionin pushtet-opozitë.

Por, sigurisht se kjo nuk mjafton, thotë ai, aq më tepër kur diplomatët në Maqedoni më tepër janë sjellur si vëzhgues pasiv, se sa si faktorë që do të jepnin në momente të caktuara ndonjë vizion pak më të qartë se nga duhet të ecin gjërat.

Sipas Azemit është tepër domethënëse porosia që erdhi nga ambasada amerikane në Shkup menjëherë pas ngjarjeve të lidhura me të ashtuqujaturin ‘’puç’’, e cila kërkonte përmbushjen e standardeve më të larta të sundimit të ligjit, transparencës, drejtësisë, të mbrojtjes së fjalës së lirë, si dhe të pavarësisë së gjyqësorit me qëllim sigurimin e integritetit të proceseve demokratike në Maqedoni, por koha do ta vërtetojë nëse këto porosi do të merren seriozisht nga ata që duhet të veprojnë brenda normave demokratike, konkludon ai.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat