Lumenj të derdhur, rrugë të pakalueshme lokale, fshatra pa rrymë

Maqedonia

Lumenj të derdhur, rrugë të pakalueshme lokale, fshatra pa rrymë

Më: 1 shkurt 2015 Në ora: 18:33

Për shkak të reshjeve të rrëmbyeshme të shiut dhe të borës të cilat mbrëmë e kapluan Maqedoninë disa lumenj kanë dalë nga shtrati dhe të pakalueshme janë më shumë rrugë lokale.

Qendra për menaxhim me kriza sot kumtoi se në komunën e Studeniçanit, komunikacioni po zhvillohet me vështirësi drejt fshatrave të cilat gravitojnë drejt pjesëve më të ulëta në Kitkë, ndërsa drejt atyre më të larta është në ndërprerje. Pa energji elektrike janë vendbanimet në Kitkë - Pusta Breznica - Jasen, për shkak të rrëzimit të një shtylle elektrike.

Në komunën e Zelenikovës të pakalueshme janë akset rrugore drejt fshatrave Strahojadica, Gumalevë, Dobrinë, Dejkovc dhe Tisovicë, ndërsa ka ndërprerje edhe në furnizimin me energji elektrike.

Rruga drejt fshatrave Patishka Rekë dhe Osinçan në komunën e Sopishtes është mbuluar nga bora dhe ngadalë po shkrihet. Pa energji elektrike janë të gjitha fshatrat në këto dy drejtime. Vetëqeverisja lokale ka angazhuar makina për pastrimin e akseve rrugore. E pakalueshme është edhe rruga drejt fshatrave të Karadakut të Shkupit Malinë, Tanushë dhe Brezë. Nga ujërat nëntokësorë në fshatin Smillkovc, për shkak të ngritjes së nivelit të lumit Rashtan, janë vërshuar disa hapësira në bodrume në objekte banesore.

Me vështirësi dhe në kushte dimërore po zhvillohet edhe komunikacioni në komunën e Sarajit, ndërsa fshatrat Semenisht, Çajlane, Bukoviq dhe Raoniq janë pa energji elektrike.

Sipas informacioneve të QMK, në Shtip në rrugën "Cvetan Dimov" është paraqitur shembje nën një shtëpi. Diga e lumit Otinjë te ura te Kisha Shën Nikolla është dëmtuar. Në fshatin Karbinc, sot në mëngjes në orën 4 ka lëshuar diga dhe është derdhur ujë. Për momentin, siç theksohet, është vërshuar një punëtori, ndërsa në fshatrat e tjera gjendja është stabile.

Aksi rrugor Koçan - Ponikva është i pakalueshëm për komunikacion. Mekanizimi i Rrugëve të Maqedonisë është në terren dhe është duke e pastruar rrugën.

Në fshatrat e Probishtipit Ratavicë dhe Tripatnicë, urat e lumit Zletovë janë dëmtuar dhe janë të pakalueshme, ndërsa i pakalueshëm është edhe aksi rrugor Kiselicë - Zletovë. Në shtrirjen e fshatit Maçevë deri në fshatin Budinarc nga të dyja anët e lumit Bregallnicë është vërshuar një tokë bujqësore dhe tre vikend-shtëpiza.

Janë derdhur edhe lumi i Ratevës në gjatësi prej tre kilometrave dhe janë vërshuar pesë vikend-shtëpiza si dhe lumi i Smojmirit në gjatësi prej dy kilometra dhe është vërshuar një sipërfaqe bujqësore.

Nga reshjet në Ohër është mbledhur ujë në oborre dhe bodrume ndërsa në komunën e Kërçovës nuk ka energji elektrike. Defekti është më i madh, ndërsa janë ndërprerë edhe largpërçuesit drejt Manastirit dhe Shkupit. Në rajonin e Strugës janë vërshuar më shumë shtëpi. Nuk ka energji elektrike në fshatrat Draslajcë, Livadh, Dollogozhdë, Tatesht të Epërm dhe Malësi. Akset rrugore janë të kalueshme për komunikacion në kushte dimërore. Në komunën Makedonski Brod rrugët janë të kalueshme, por nuk ka energji elektrike.

Në Prilep zjarrfikësit e Prilepit kanë intervenuar në bodrumet nëpër shtëpitë në fabrikën "Sllovë".

Nivel të rritur të ujit ka edhe në lumenjtë në komunën e Strumicës. Gjendja është duke u ndjekur dhe ka nevojë për t'u intervenuar me mekanizim, njofton QMK.

E pakalueshme është edhe rruga deri në fshatin Gurgurnicë të Tetovës ku po zbatohen aktivitete për pastrimin e saj, si dhe drejt fshatrave Sedllarevë dhe Llukovicë në komunën e Zhelinës.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat