Këshilli i Komunës së Kërçovës miratoi vendimin për emërimin e rrugëve

Maqedonia

Këshilli i Komunës së Kërçovës miratoi vendimin për emërimin e rrugëve

Më: 30 janar 2015 Në ora: 19:30

Këshilltarët e bllokut politik maqedonas ishin kundër këtij propozimi dhe para se të fillojë debati për këtë pikë të rendit të ditës, ata e lëshuan mbledhjen. Këshilli i Komunës me shumicë votash miratoi edhe disa vendime të tjera nga fushëveprimi i saj.
Pika kryesore e mbledhjes së 26-të të Këshillit të Komunës së Kërçovës ishte propozim-vendimi për emërimin e rrugëve, i cili u kundërshtua nga koalicioni maqedonas, ndonëse emërtimet e rrugëve të Kërçovës i takojnë të kaluarës komuniste dhe nuk përkojnë me historinë dhe kulturën e vendit.
Rrugët e Kërçovës akoma bartin emrat e vjetër, siç është “Mareshali Tito”, “Bulevardi i çlirimit” e kështu me radhë. Në fakt këtë propozim këshilltarët maqedonas e kanë kundërshtuar që në mbledhjen e komisionit, ndërkohë që e braktisën edhe seancën e sotme të këshillit edhe përkundër sqarimeve se propozimet nuk do të prekin përkatësitë etnike, por ato të bartin emra të fushës së dijes, artit dhe shkencës.
Pas largimit të këshilltarëve maqedonas, vendimi për emërimin e rrugëve u miratua me shumicën e votave të këshilltarëve shqiptarë.
Në mbledhjen e sotme u miratua edhe vendimi për kalendarin buxhetor të Komunës së Kërçovës për vitin 2015, vendimi për donimin e derivateve për transportin e nxënësve, si dhe vendimi për autorizimin e kryetarit të Komunës së Kërçovës për lidhjen e marrëveshjes jashtëgjyqësore.
Këshilltarët me shumicë votash e mbështetën edhe propozimin e programit për rregullimin e tokës ndërtimore në hapësirën e Komunës së Kërçovës për vitin 2015. Edhe në këtë mbledhje, Këshilli i Kërçovës miratoi disa vendime për ndryshime në PDU-në për lagjen “Pashinë”, “Ivanidoll”, “Kopaçka”, “Çiflik”, si dhe ndryshimet në dokumentacionet e planifikuara urbanistike për vendbanimet “Tuhin”, “Popojan” dhe “Strellcë”.
Ndërkaq, për çarshinë e vjetër të Kërçovës dhe lagjen “Pashinë” u soll vendimi për ndryshime dhe plotësime në planet detaje urbanistike përkatëse.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat