Faktet që Kastriot Myftaraj nuk i di për aksidentin e Ali Ahmetit

Maqedonia

Faktet që Kastriot Myftaraj nuk i di për aksidentin e Ali Ahmetit

Më: 30 janar 2015 Në ora: 13:53

Gazetari Kastriot Myftaraj përpiqet edhe një herë, në mungesë të fakteve, por me hamendësimet që i thotë me shkujdesjen që krijon besim, të provojë lidhjen shkakësore mes luftës politike Rama-Meta dhe aksidentit të kreut të BDI-së, Ali Ahmetit.

Në shkrimin që i dedikohet komentit të Agjencisë “Zhurnal”, ku redaksia hedh poshtë pretendimet e Myftarajt se aksidenti i Ahmetit ishte një atentat, gazetari liston disa “fakte” por asnjëri ndër to nuk provon teorinë e tij për ngjarjen fatkeqe.

Myftaraj jep një mori argumentesh për luftën e fshehtë mes Ramës dhe Metës dhe ngul këmbë se ky i fundit, që prej formimit të qeverisë PS-LSI, mungon sa herë në Shqipëri shënohet përvjetori i ngjarjeve të 21 janarit.

Në këtë pjesë dhe sidomos për sa u përket marrëdhënieve Rama-Meta, “Zhurnal” nuk ka marrë asnjëherë përsipër të kontestojë argumentet që jep Myftaraj.

Ajo që për gazetarinë tonë është e papranueshme, është përpjekja e tij që një aksident të ndodhur për shkaqe që mund t’i ndodhin çdokujt, ta paraqesë si një tentativë për atentat.

Nuk është e qartë se cili është nocioni i Myftarajt për atentatin, kur një i tillë presupozohet të ketë organizator, plan dhe qëllim.

Në shkrimin e tij të parë dhe në të dytin replikues, Myftaraj përveçse jep si shkak të aksidentit shpejtësinë e lartë të makinës, nuk guxon as të spekulojë se cili është organizatori konkret, cili plani konkret, të sqarojë përse aksidenti ndodhi përpara pikëpagesës së taksës rrugore dhe pse jo në qafën malore mes Kërçovës dhe Gostivarit, ku poshtë rrugës ndodhen hone e gremina, ku po qe se bie vetëm Zoti mund të të vijë në ndihmë.

Pra, Myftaraj pretendon të ketë ndodhur një atentat, që nuk ka as plan dhe as organizator, por ka thjesht një rrethanë: një takim protokollar me Metën, si dhjetëra të tjera që ka Ahmeti brenda një jave, me politikanë e zyrtarë të vendit dhe të huaj.

Myftaraj thotë më tutje se Ahmeti kishte anuluar fillimisht takimin porse pasi ishte kërcënuar nga Meta, se do të deklaronte diçka të dëmshme për të nëse nuk do të paraqitej në orën e caktuar, ishte nisur me revan drejt Shkupit dhe gjatë këtij nxitimi kishte ndodhur aksidenti.

Gazetari Myftaraj nuk tregon ama se cili qe shkaku që shtyu Ahmetin të anulonte takimin me Metën.

Çfarë mund të ishte më e rëndësishme për Ahmetin dhe për çdo lider tjetër shqiptar në Maqedoni, se një takim me një zyrtar të lartë shqiptar? Myftaraj nuk ka përgjigje.

Më pas, ai pyet: “A e mohon “Zhurnal” se është fakt që vetëm një arsye e fortë do ta bënte Ali Ahmetin, që ndonëse kishte fiksuar një takim me Ilir Metën në Shkup, në orën 11:30 të 21 janarit, gjendej ende në Kërçovë, në kohën kur duhej të ishte nisur për të arritur në kohë, në takim?”.

Myftaraj, për fat të keq, ndryshe nga ç'pritet, duket i painformuar për kohën dhe vendin e aksidentit.

Aksidenti ndodhi në orën 9 e 30 në pikëpagesën e taksës rrugore në autostradën Gostivar-Tetovë, 2-3 kilometra larg Tetovës dhe 37 kilometra larg Shkupit.

Nëse makina e Ahmetit ndodhej në orën 9 e 30 në hyrje të Tetovës, atëherë nisja nga Kërcova duhej të ishte bërë jo më vonë se në orën 8 e 15.

Nëse dita ishte me mjegull, atëherë nisja duhej të ishte bërë ende më herët, që në Tetovë makina të aksidentohej në orën 9 e 30.

Gazetari Myftaraj, mes gabimeve të shumta, spekulon në profilin e tij në Facebook, edhe për pronësinë e Agjencisë “Zhurnal”, por kjo gjë nuk vlen të përfshihet në këtë shkrim replikues ndaj tij.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat