Në Maqedoni shqiptarët punojnë si hyzmeqarë, punët i marrin maqedonasit

Maqedonia

Në Maqedoni shqiptarët punojnë si hyzmeqarë, punët i marrin maqedonasit

Më: 29 janar 2015 Në ora: 22:09

Bruto Prodhimi Vendor më i ulët i Pallogut krahasuar me rajonet tjera tregon se sa inferiorë jemi në “hisemarrjen ekonomike”, që politikbërësit shpesh tentojnë ta shesin si “gogla për dushk”, thotë akademiku Abdylmenfa Bexheti. “Një shembull edhe më praktik, analizoni se kush është ‘tender-marrës’ bile edhe për institucione dhe kompani publike nga regjioni i Pollogut, do të shihni se kryesisht aty punët i marrin maqedonasit dhe pastaj ua shpërndajnë shqiptareve që t’i kryejnë si hyzmeqarë”, thekson ai

Pollogu ka më shumë firma për banorë në Maqedoni, por sërish ky rajon merr pjesë me përqindjen më të vogël në krijimin e Bruto Prodhimit Vendor. Këtë e tregon hulumtimi i Qendrës për Komunikime Qytetare për kushtet ekonomike në tetë rajonet në vend.
Dallimi i madh në mes të aktivitetit ekonomik të kompanive në Pollog në raport me Bruto-Prodhimit Vendor si indikatorë makro-ekonomik, që është matës agregat i vlerave të të gjitha produkteve dhe shërbimeve përfundimtare të prodhuara në ekonominë e një shteti, dëshmon edhe jobarazinë zhvillimore brenda rajoneve në Maqedoni. Sipas Odës Ekonomike të Maqedonisë Veriperëndimore dhe ekspertëve ekonomik, ky dallim ka burimin në politikat jo të përshtatshme qeveritare ndaj këtij rajoni, lënies pas dore të zhvillimit të infrastrukturës dhe ngufatjes së iniciativave dhe pamundësisë që ato të veprojnë dhe gjenerojnë efekte të bruto-pordhimit vendor.
“Të gjithë qeveritë pa përjashtim nuk kanë ndërmarrë hapa konkret për të ndihmuar zhvillimin e biznesit në këtë rajon. Kjo i dedikohet edhe politikave jo të përshtatshme në të kaluarën që nuk i kanë kushtuar një vëmendje më të madhe zhvillimit të barabartë rajonal. Me një fjalë, në Pollog janë lënë pas dore çështje me rëndësi si infrastruktura, Korridori 8-të si dhe politikat e tjera investuese”, thotë kryetari i Odës Ekonomike të Maqedonisë Veriperëndimore, Menderez Kuçi.
Ai thotë se nevojitet sa më parë të realizohen investimet në infrastrukturën rrugore dhe hekurudhore, me çka bizneset do të jenë më konkurruese me qëllim të përmirësimit të ambientit të biznesit dhe plotësimit të kushteve që sa më shumë investitorë vendor dhe të huaj të shqyrtojnë mundësinë e investimit, me çka do të realizohej gjysma e kërkesave të biznesit.
Akademiku Abdylmenaf Bexheti thotë se në rajonin e Pollogut nuk ka munguar iniciativa private dhe shpirti sipërmarrës, por ka munguar një mbështetje më e madhe institucionale dhe shtetërore ndaj afaristëve të kësaj ane. “Ky indikatorë tregon shpirtin ndërmarrës dhe iniciativat private në Pollog, që është për t’u përshëndetur, por në krahasim me efektin e këtij aksioni duhet të përgjigjen politikbërësit e politikave ekonomike, që si duket s’e kanë idenë e çështjes. Thjesht rezultati negativ nga ky raport në krahasim me gjithë regjionet tjera statistikore(nga 8 gjithsej) është për shkak të ngufatjes së iniciativave dhe pamundësisë që ato të veprojnë dhe gjenerojnë efekte të BPV e më këtë edhe standard jetësor”, thekson Bexheti. Sipas tij, edhe treguesit e tjerë dëshmojnë jobarazinë ekonomike të Pollogut. “Edhe ky indikator si shumë tjerë të elaboruar deri më tani, tregon sa inferiorë jemi në ‘hisemarrjen ekonomike’ që politik bërësit shpesh tentojnë ta shesin si ‘gogla për dushk’ Po ja që rezultatet shpejt dhe gjithmonë i demantojnë ata. Një shembull edhe më praktik, analizoni kush është ‘tender marrës’ bile edhe për institucione dhe kompani publike nga regjioni i Pollogut, kryesisht punët i marrin maqedonasit dhe pastaj ua shpërndajnë shqiptareve që t’i kryejnë si hyzmeqarë”, thotë profesori universitar Abdylmenaf Bexheti.

Pollogu pa kompani me shumë punëtorë
Gjithashtu të dhënat statistikore për tetë rajonet në Maqedoni për vitin 2011 tregojnë se në Pollog mungojnë kompanitë e mëdha që angazhojnë numër më të madh të fuqisë punëtore. Në rajonin e Pollogut para katër vitesh kanë funksionuar vetëm gjashtë kompani që punësojnë më shumë se 250 e më shumë punëtorë dhe 75 kompani prej 50 deri 250 punëtorë. Në ndërkohë analizat e caktuara kanë dhënë edhe përparësitë dhe mundësitë mbi të cilat duhet të bazohet programi për zhvillim e rajonit të Pollogut. Këto janë frymë e zhvilluar e biznesit, traditës dhe përvojës në sektorë të ndryshëm ekonomik si dhe zhvillim i rrjetit ekzistues i ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme. Fuqia punëtore në dispozicion me çmim konkurrent, mërgimtarët dhe resurset e përgjithshme njerëzore, të cilët me sjelljen e inovacioneve dhe me aplikimin e teknologjisë së informatikës dhe të telekomunikacionit në procesin arsimor dhe prodhues mund të vihen në funksion të zhvillimit rajonal, thuhet në planin zhvillimor të rajonit të Pollogut.(koha)

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat