Ambasadori izraelit mahnitet me qëndrimet e kreut të BFI-së

Maqedonia

Ambasadori izraelit mahnitet me qëndrimet e kreut të BFI-së

Më: 29 janar 2015 Në ora: 15:19

Bashkësinë Fetare Islame e vizitoi për herë të parë sot një diplomat izraelit, Dan Oryan, ambasador i Izraelit për Maqedoninë.

Ai u prit nga Reisul Ulema i BFI-së, H. Sulejman ef. Rexhepi, ndërsa sic njofton institucioni fetare, biseda është zhvilluar në atmosferë të ngrohtë.

Mësohet se biseda ka nisur duke nënvizuar kontributin e shqiptarëve në mbrojtjen e hebrenjve gjatë Luftës së Dytë Botërore.
“Është një frymë vëllazërore të cilën dehet ta ruajmë fort. Nuk guxojmë që të lejojmë rryma të ndryshme antisemitiste por edhe islamofobe të na i dëmtojnë raportet e ngushta miqësore në mes të shtetit të Izraelit dhe të Maqedonisë por edhe në mes të dy popujve, shqiptarëve dhe hebrenjve. Historia jonë është përplot me lëvdata në këtë aspekt! Në kohëra më të turbullta të luftës, janë të shumtë shqiptarët që u kanë dalë përpara tytave të nazistëve duke këmbëngulur që në shtëpitë e tyre nuk ka asnjë hebre, ndonëse i kanë pasur të strehuar nëpër dhoma. Në frymën e këtyre marrëdhënieve në mes të dy popujve, BFI jo vetëm që e ka ruajtur por edhe e ka kultivuar bashkëpunimin e ngushtë me Komunitetin Hebraik në Maqedoni ”, ka deklaruar efendi Rexhepi.

Më tej, Reisul Ulema ka shpalosur edhe Programin e BFI-së që flet për angazhimet e saj në luftë kundër terrorizmit dhe radikalizmit që po ushtrohet në emër të fesë islame.

Ambasadori Oryan ka përshëndetur nismën e BFI-së dhe e ka inkurajuar në këtë hap civilizues, duke nënvizuar se edhe në Shtetin e Izraelit gjejnë zbatim plotë projekte të tilla rehabilituese e risocializuese dedikuar palestinezëve dhe jo vetëm.

Nga ana e vet, ambasadori izraelit, Dan Oryan, ka falënderuar Reisul Ulemanë për qëndrimet miqësore që i ka për Shtetin izraelit, për popullin hebre por edhe për komunitetin hebraik në Maqedoni.

Gjithashtu, ai ka shprehur dëshirë për t’u informuar mbi projektin e BFI-së, për të cilin nga disa qarqe të ashtuquajtura mediale janë përhapur shumë dezinformata.

Oryan e ftoi Reisul Ulemanë që të marrë pjesë në një konferencë për antisemitizmin që do të mbahet në muajin maj, në Telavim.

Në fund, efendi Rexhepi dhe ambasadori Oryan dolën me qëndrim të përbashkët për sa i përket antisemitizmit dhe islamofobisë si lëvizje që janë kundër njerëzimit dhe si të tilla duhet të luftohen vazhdimisht.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat