Kulmi i hipokrizisë, “Duam Çair të pastër” me seli të ndërtuar pa leje në mes të parkut

Maqedonia

Kulmi i hipokrizisë, “Duam Çair të pastër” me seli të ndërtuar pa leje në mes të parkut

Më: 29 janar 2015 Në ora: 11:51

Nuk e besoni dot i kujt është ky objekt i ndërtuar pa leje, në hyrje të Parkut të Çairit.

Është pikërisht organizata joqeveritare “Duam Çair të pastër” dhe kryetari i saj Alisetar Ramadani, që kanë vendosur selinë e tyre në këtë objekt të paligjshëm, duke uzurpuar një pjesë të parkut të qytetarëve të Çairit.

Organizata që nisi si një lëvizje e sinqertë e qytetarëve për mjedis të pastër, por që prej disa muajsh përflitet për ambiciet politike të themeluesve të saj, tani përfshihet në një skandal të ndërtimit pa leje. Dhe jo në një vend dokudo, por pikërisht në hyrje të Parkut të Çairit.

E vështirë për t’u besuar, por ja që një dokument dërguar në redaksinë tonë, flet për ndërtimin e egër dhe në kundërshtim me ligjin, të objektit ku është e vendosur selia e kësaj organizate joqeveritare.

Fjala është për vendimin e Inspektoratit Ndërtimor pranë Komunës së Çairit, arkivuar me datë 20 tetor 2011, ku konstatohet ndërtimi i egër i objektit shtesë të një apartamenti, në rrugën “Kërste Arsenov” nr. 12.

Objekti i egër i cili ndodhet në hyrje të parkut, është kthyer në seli të organizatës, e cila ndryshe nga proklamimet e saj për ruajtjen e mjedisit, ka uzurpuar jo pak nga sipërfaqja e gjelbër, pronë publike e qytetarëve.

Në vendimin që posedon redaksia, thuhet se gjatë inspektimit në vitin 2011, është konstatuar se punimet për ndërtimin e shtesës ishin kryer pa poseduar leje ndërtimi.

Për sa më sipër, autoritetet i kërkuan shtetasit N.N. i deklaruar si përgjegjës për ndërtimin e shtesës, rikthimin në gjendje të mëparshme të objektit dhe lirimin e hapësirës publike, të uzurpuar nga ndërtimi i shtesës.

Si për ironi, tre-katër vite më vonë, në këtë objekt të paligjshëm vendoset selia e organizatës “Duam Çair të pastër”.

Situata është bërë e pafavorshme për besueshmërinë e organizatës dhe të kryetarit të saj, Alisetar Ramadanin, për faktin se, ndërsa nga njëra anë, autoritetet lokale të Çairit kritikohen thuajse përditë për “uzurpime dhe betonizime”, nga ana tjetër po kjo organizatë joqeveritare legjitimon “uzurpimet dhe betonizimet” për llogari të interesave të saj.

Ky fakt, me çfarë duket, nuk i ka penguar kryetarit të kësaj OJQ-je Alisetar Ramadanit të kërkojë nga Komuna legalizimin e shtesës, krejtësisht në kundërshtim me parimet që proklamon ai, për ruajtjen e sipërfaqeve të gjelbra dhe për de-betonizimin e komunës.

Parashtrimi i kërkesës për legalizim, pikërisht në kohën kur organizata bën kritika për dukuri si kjo ku përfshihet vetë, ka shtuar zërat se organizata kërkon të “hyjë në pazar” për të legalizuar selinë e saj.

Dhe ndërkohë që Ramadani kërkon legalizimin e objektit dhe njëkohësisht edhe miratimin zyrtar për betonizimin e Parkut të Çairit, ekziston vendimi, ku i kërkohet shtetasit N.N të shembë objektin, sepse në të kundërt kjo do të bëhet nga autoritetet.

Pavarësisht nga epilogu juridik që do të marrë kjo çështje, ajo që kësaj organizate joqeveritare i duhet të bëjë, është që të mënjanojë dilemat se misioni i saj po keqpërdoret për përfitime personale apo politike të krerëve të saj.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat