Ish-ambasadori i BE-së Erwan Fouere vlerëson se rasti i dënimit me burg të gazetarit Tomislav Kezharovski, tregon se Maqedonia ka humbur rrugën e saj.
Ai thotë se Maqedonia është bërë vendi i vetëm në Ballkan që ka dënuar një gazetar, për shkak të shkrimeve të tij.
“Ne jemi në një Maqedoni, me këtë regjim aktual, ku nuk ekziston një gjykatë normale. Ka një sërë faktesh që tregojnë ndërhyrjen e politikës në gjyqësor. Vlerësimi i përbashkët i të gjitha organizatave ndërkombëtare dhe qeverive të huaja është se po rritet selektiviteti dhe ndikimi mbi policinë dhe gjyqësorin”, thotë Fouere, në një shkrim të tijin për Prizma.
Ish-ambasadori vazhdon kritikat për Qeverinë, duke thënë se ajo udhëhiqet nga interesat e saj të ngushta partiake.
“Dhe vazhdon të kthejë shtetin prapa, duke i hedhur poshtë të gjitha kërkesat, pavarësisht nëse ato vijnë nga brenda ose nga jashtë. Qeveria po humb kredibilitetin që ka pasur. Ajo po shfaq fytyrën e vërtetë si një regjim autoritar që qeveris me vendin dhe sikur të ishte një filiale e VMRO-DPMNE-së”, thotë ish-ambasadori.